

Burrel – Dritan Ymeri është i dënuari që sulmoi dhe goditi me petrogaz në kokë efektivin e policisë së burgjeve Agron Bebja në institucionin e vuajtjes së dënimit të sigurisë së lartë në Burrel. Incidenti u regjistrua gjatë turnit të 3 të shërbimit dhe si pasojë e goditjes së fortë, punonjësi i policisë pësoi dëmtime në kokë dhe u dërgua menjëherë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Sipas të dhënave nga dosja e tij gjyqësore, Ymeri po vuan një dënim prej 25 vitesh burgim për një krim të rëndë të ndodhur në vitin 2017 në qytetin e Shkodrës. Më konkretisht, ai është shpallur fajtor për vrasjen e mjekut Ilir Alia, ngjarje e shënuar në mesnatën e 1 korrikut 2017 në lagjen Qemal Stafa, ku viktima u ekzekutua me një plumb në kokë.
Pas kryerjes së vrasjes, Dritan Ymeri arriti t’i shmangej drejtësisë duke u larguar drejt Francës, ku qëndroi në arrati për disa vite. Më 2 qershor 2021 ai u vetëdorëzua pranë autoriteteve policore dhe prej asaj kohe ndodhet i izoluar në burgun e Burrelit për shlyerjen e dënimit prej 25 vitesh burgim.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






