

Prishtinë – Gjykata e Apelit ka zbardhur arsyetimin e plotë për lënien në fuqi të dënimeve ndaj 3 të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt në vitin 2023, duke vënë në pah planifikimin e hollësishëm të krimit, mungesën e çdo shenje pendimi dhe kryerjen e aktit në prani të 2 fëmijëve. Gjatë kësaj jave, shkalla e dytë ka konfirmuar dënimet me burgim të përjetshëm për ish-bashkëshortin e viktimës, Naim Murseli, dhe për Granit Plavën, si dhe dënimin me 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën.
Në aktgjykimin e saj, Gjykata e Apelit nënvizon kontrastin mes përgatitjes së ftohtë të vrasjes dhe sjelljes së të pandehurve menjëherë pas ngjarjes, duke theksuar se ata nuk shfaqën asnjë dhimbje apo pendesë:
“Sjelljet e të akuzuarve para dhe pas kryerjes së veprës penale, ku para kryerjes së veprës penale të akuzuarit e bëjnë planifikimin e detajuar se si ta privojnë nga jeta tani të ndjerën, ndërsa, pas kryerjes së veprës penale, të akuzuarit vazhdojnë me aktivitetet e tyre edhe të argëtimit, duke shkuar në lokale, pra, pa treguar aspak dhimbje për tani të ndjerën”.
Dokumenti gjyqësor përshkruan me detaje edhe çastin fatal të ekzekutimit, duke sqaruar rolin e drejtpërdrejtë të ish-bashkëshortit në lehtësimin e të shtënës nga ekzekutori i dyshuar. Sipas Apelit, ky veprim plotëson elementin e dinakërisë në kryerjen e veprës penale:
“Në momentin kur ka shtënë me armë i akuzuari Granit Plava, i njëjti, pra, i akuzuari Naim Murseli, e ka mbajtur me dorë tani të ndjerën L. A. dhe atë, duke e kapur për krahu, krejt kjo me qëllim që e shtëna me armë të jetë e saktë, ku, edhe i akuzuari Granit Plava me një të shtënë e ka privuar nga jeta tani të ndjerën L. A., e që me këtë, tek ky i akuzuar, pra, i akuzuari Naim Murseli, plotësohet edhe elementi i dinakërisë, ngase, i akuzuari në fjalë, përveç që e ka sjellë tani të ndjerën në vendin e ngjarjes, të njëjtën edhe e ka mbajtur për krahu, me qëllim që i akuzuari Granit Plava ta realizojë vrasjen në mënyrë më të sigurt dhe të arrijë qëllimet e tij”.
Sa i përket të pandehurit Kushtrim Kokalla, Gjykata e Apelit ka rrëzuar ankesat e Prokurorisë dhe të përfaqësuesit të familjes së viktimës, të cilët kërkonin dënim me burgim të përjetshëm, duke arsyetuar se korniza ligjore parashikon trajtim më të butë për ndihmë në kryerjen e veprës penale:
“Në rastet e ndihmës, kryerësit e veprës penale i shqiptohet dënim më i butë se sa kryerësit të veprës penale, prandaj, në këtë drejtim, gjykata e shkallës së parë, edhe nuk ka pasur mundësi që të akuzuarit Kushtrim Kokalla t’i shqiptojë dënim me burgim të përjetshëm, për çka, edhe u refuzuan ankesat e Prokurorisë dhe përfaqësuesit të autorizuar të palës së dëmtuar si të pabazuara”.
Këto masa dënimi ishin shqiptuar më 21 prill të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë pas shpalljes fajtor për vrasjen e Liridona Ademajt, e cila u vra më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës, dhe tashmë kanë marrë vulën e konfirmimit edhe nga shkalla e dytë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






