Transmetuar më 26-11-2026, 20:02

Tiranë – Seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë është shoqëruar me replika të forta dhe akuza personale mes kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhe. Debati nisi pasi kreu i opozitës ironizoi mënyrën se si Gonxhe ishte pranuar në Liceun Artistik gjatë periudhës së regjimit komunist, duke cituar një mesazh që sipas tij i kishte mbërritur nga qytetarët.

Gjatë fjalës së tij nga foltorja e parlamentit, duke iu drejtuar fillimisht ministres së Arsimit dhe më pas ministrit të Kulturës, Berisha u shpreh:

“Ti meriton çdo epitet, por s’dua të prish gojën këtu para qytetarëve. Mos fol pas shpine, po flas me vetëpërmbajtje se kam dhe shumë të tjera. Je një shkatërrimtar i arsimit në Shqipëri. Edhe ky me kulturën. Edhe ky, si u bë piktor ky. Mesazhi: ‘Doktor si shkoi Gonxhe në lice për pikturë, se piktor nuk u bë asnjëherë. Në vitin e largët 1976, Enver Hoxha shkoi në Gjirokastër dhe do të takohej me popullin. Agim Gonxhe do të ishte në rreshtin e parë dhe i thotë djalit të tij Blendi të vizatonte Mercedesin e Enver Hoxhës dhe vuri targën. Të nesërmen babai e shtyn Blendin i thotë t’ia tregojë vizatimin Enver Hoxhës, që pyet kujt i ishte ky fëmijë, ‘i imi’ tha Agimi. Më pas shkoi në lice dhe e refuzuan, por hyri nëpërmjet gazetave që shkruanin se ka vizatuar makinën e xhaxhit Enver’”.

Në kundërpërgjigjen e tij, ministri Blendi Gonxhe konfirmoi episodin e fëmijërisë në Gjirokastër dhe dhurimin e vizatimeve, por hodhi poshtë kategorikisht pretendimin se kishte përfituar favore për shkollimin e tij, duke e cilësuar arsimimin e vet si rezultat të talentit dhe meritës. Duke iu përgjigjur me tone të ashpra akuzave të kreut të demokratëve, Gonxhe deklaroi:

“Pa i përmendur emrin do të doja vetëm për kuriozitetin e fjalës. Ngjarja ka të bëjë vetëm me një fëmijë 8 vjeç në Palorto të Gjirokastrës, ku unë banoja. Kam vizatuar që 3 vjeç, është një nga talentet e mia. Nuk mund të hyja me mik në lice, se vizatoja bukur dhe ishte një nga talentet e mia edhe vizatimi i makinave. Pasi kisha pasion të vizatoja makinat, Benzi ka qenë fiksim i një fëmije që vizatonte. Po, ka qenë e vërtetë, nuk kam asgjë për të fshehur, por tregoj historinë e një 8-vjeçari.

Edhe një portret i Qemal Stafës ka dalë në revistën Pioneri, sepse unë ia kam dhuruar si një fëmijë 8 vjeç Enver Hoxhës. Në 1978 një fëmijë 8 vjeç nuk e dinte se ai që do të takonte ishte diktatori. Dhe kush na tregon këtu, një sekretar partie i rëndomtë, një plak matuf dhe një zhele prej 37 vitesh që nuk i shporret këtij vendi nga sytë. Të vjen ndot, por ta dinë qytetarët se Blendi Gonxhe ka hyrë me meritë në çdo shkollë dhe nuk i ka hyrë në hak askujt”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit