

U shtirën si policë dhe dhunuan pronarin e lokalit, por njëri përfundoi i plagosur: Zbardhet ngjarja në Maliq
Policia e Korçës tha sot se ka zbardhur rrethanat e një konflikti të ndodhur më 22 nëntor në fshatin Zvezdë të Maliqit, ku mbeti i plagosur me mjet të mprehtë 30-vjeçari Anxhelo Brisku.
Nga hetimet rezulton se ngjarja ka ndodhur brenda një lokali dhe jo në rrethanat që ishin raportuar fillimisht.
Sipas Policisë, Anxhelo Brisku, i identifikuar me inicialet A. B., dhe një person tjetër me inicialet K. Xh., dyshohet se kanë hyrë në lokalin e shtetasit I. M., 35 vjeç, duke u prezantuar si punonjës policie.
Dy personat dyshohet se kanë ushtruar dhunë ndaj pronarit të lokalit. Gjatë konfliktit, ky i fundit ka goditur me një send të mprehtë në krah Anxhelo Briskun, duke e plagosur.
Pas ngjarjes, 30-vjeçari ishte paraqitur në spital rreth orës 18:30 të datës 22 nëntor, ku kishte marrë ndihmë mjekësore. Sipas informacionit të parë të Policisë, ai ndodhej jashtë rrezikut për jetën, ndërsa rrethanat e plagosjes ishin ende të paqarta.
Sipas detajeve të raportuara mbi hetimin, Brisku kishte pretenduar fillimisht se ishte sulmuar nga persona të panjohur ndërsa ecte në rrugë në fshatin Neviçisht. Megjithatë, verifikimet e mëvonshme e kanë lokalizuar konfliktin në një lokal në fshatin Zvezdë.
Pas zbardhjes së ngjarjes, Policia ka shpallur në kërkim Anxhelo Briskun dhe shtetasin K. Xh., të dyshuar për dhunimin e pronarit të lokalit.
Ndërkohë, 35-vjeçari I. M., i cili dyshohet se ka plagosur Briskun gjatë përleshjes, është proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësisë së secilit prej personave të përfshirë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






