

Tiranë – Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ të miratuar nga qeveria për tubimet, duke ngrirë konkretisht nenin që parashikon vendosjen e gjobave administrative për bllokimin e rrugëve.
Deri në shqyrtimin përfundimtar në themel të kërkesës, dispozitat që lidhen me sanksionet financiare për bllokimin e akseve rrugore nuk do të jenë të zbatueshme, ndërsa trupa gjykuese ka vendosur gjithashtu që kjo çështje të shqyrtohet me përparësi, pa pritur afatet e zakonshme procedurale që mund të zgjasin deri në 3 muaj.
Në njoftimin zyrtar mbi vendimmarrjen e Mbledhjes së Gjyqtarëve, bëhet me dije se lëvizja e Gjykatës erdhi pas ankimimit të disa organizatave të shoqërisë civile dhe lëvizjeve studentore:
“Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra ‘Res Publica’, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore ‘Studentët n’Protestë’ dhe ‘Revolucioni Studentor’, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
2. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit ‘Për tubimet’. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
3. Shqyrtimin me përparësi të çështjes”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






