

Tiranë – Reformat e ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit evropian po krijojnë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin Perëndimor.
Këtë mesazh përcolli Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, gjatë fjalës së saj në Konferencën Ndërkombëtare të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, të zhvilluar në Tiranë në kuadër të Samitit BE-Ballkani Perëndimor.
Gjatë prononcimit të saj, Kos theksoi se Bashkimi Evropian po përgatitet konkretisht për pranimin e anëtarëve të rinj, duke vlerësuar progresin e vendeve të rajonit në procesin e integrimit.
Ajo veçoi Malin e Zi, që sipas saj ndodhet shumë pranë përmbylljes së negociatave, ndërsa për Shqipërinë vlerësoi se viti 2027 mund të shënojë një moment kthese në rrugën drejt anëtarësimit, me kusht që vendi të ruajë të njëjtin ritëm të lartë reformash.
“Reformat e zgjerimit fuqizojnë rritjen ekonomike. Ballkani Perëndimor është pjesë e së ardhmes ekonomike dhe investimeve. Ky është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet e huaja.
Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, Bashkimi Evropian po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj. Dhe dy vendet që kanë ecur përpara janë pikërisht nga ky rajon.
Mali i Zi është shumë afër dhe vitin e ardhshëm, në verë, mund të nënshkruajë marrëveshjen e anëtarësimit. Shqipëria po ashtu po ecën në të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse vijon me të njëjtin ritëm”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






