Transmetuar më 26-11-2026, 17:53

TIRANË — Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur këtë të enjte vendimin për fraksionin e ndarë të dosjes hetimore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shqyrtua me procedurën e gjykimit të shkurtuar dhe përfshinte tetë persona dhe tri subjekte.

Sipas vendimit të gjykatës, biznesmeni Elman Abule u shpall fajtor për pastrim parash të kryer më shumë se një herë në bashkëpunim dhe u dënua me 7 vite burgim, dënim i cili në aplikim të gjykimit të shkurtuar ulet në 4 vite e 8 muaj burg.

Sipas prokurorisë, përmes kompanisë së tij “Rametal” janë qarkulluar fonde drejt subjekteve të lidhura me Ajola Xoxën.

Ndërkohë, vetë shoqëria “Rametal” SHPK u dënua me 18 milionë lekë gjobë, e cila reduktohet në 12 milionë lekë dhe duhet të shlyhet brenda gjashtë muajve.

Në të njëjtin proces, trupi gjykues vendosi pafajësinë për biznesmenin Fatmir Bektashi, duke i hequr masën e detyrimit për paraqitje, si dhe për shoqërinë “Kontakt” SHPK, ndonëse në pretencë SPAK kishte kërkuar 1 vit burg të konvertuar në 8 muaj punë me interes publik për Bektashin dhe 800 mijë lekë gjobë për kompaninë.

E pafajshme u shpall edhe e pandehura Flutura Xhani, për të cilën prokuroria kishte kërkuar 40 mijë lekë gjobë.

Për ish-deputeten socialiste Klotilda Bushka, GJKKO caktoi dënimin me 200 mijë lekë gjobë pas uljes nga gjykimi i shkurtuar, duke zbritur masën e kërkuar nga SPAK prej 400 mijë lekësh.

Për të pandehurit e tjerë të këtij fraksioni, gjykata vendosi dënime me kusht dhe përjashtim nga vuajtja e dënimit për bashkëpunëtorët e drejtësisë. Ina Goxhaj u shpall fajtore për korrupsion aktiv dhe pastrim parash me 4 vjet e tetë muaj burg nga gjykimi i shkurtuar, por ekzekutimi i vendimit u pezullua duke e kaluar në shërbim prove për 5 vite. Adela Kondakçiu u dënua gjithashtu me 4 vjet e 8 muaj burg për pastrim parash, por u përjashtua nga vuajtja e dënimit për shkak të statusit si bashkëpunëtore e drejtësisë.

Po ashtu, Fatjon Baçi u dënua me 3 vjet e 4 muaj burgim nga gjykimi i shkurtuar, dënim që u pezullua me 4 vite shërbim prove, ndërsa Frosina Bollo u dënua me 8 muaj burg, të konvertuar në shërbim prove. Sa i përket subjektit të tretë në gjykim, OJF “Frobolus” u dënua me 500 mijë lekë gjobë, e cila në aplikim të gjykimit të shkurtuar zbret në 340 mijë lekë.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit