

TIRANË — Një grup studentësh ka njoftuar themelimin e një force të re politike të emërtuar “Të Bashkuar për Shqipërinë”, si një bashkim i të rinjve, atdhetarëve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme.
Përmes një deklarate publike, nismëtarët theksuan se kjo lëvizje politike lind pas 180 ditësh protesta qytetare, me synimin për të kanalizuar pakënaqësitë në një rrugë kushtetuese drejt ndërtimit të shtetit të së drejtës.
“Ne, një grup studentësh, të bashkuar me të rinjtë, atdhetarët dhe profesionistët, deklarojmë sot me zë dhe figurë krijimin e partisë ‘Të Bashkuar për Shqipërinë’. Për 180 ditë, mijëra të rinj, prindër dhe qytetarë kanë treguar që Shqipëria nuk është e lodhur. Ky zë u përket të gjithëve atyre që iu bashkuan protestave për Shqipërinë. Partia do t’u ofrojë atyre një rrugë kushtetuese drejt shtetit të së drejtës. Duam të bashkojmë zërat e shqiptarëve për një Shqipëri të bashkuar”, deklaroi grupi nismëtar.
Gjatë prezantimit u bë e ditur se në javët e ardhshme përfaqësuesit e partisë do të zhvillojnë takime me banorët në qytete dhe fshatra të vendit, për të hartuar së bashku me ta programin politik. Ndër zotimet kryesore të shpallura janë kufizimi i mandateve për drejtuesit, heqja e privilegjeve për themeluesit dhe përfshirja e drejtpërdrejtë e qytetarëve në proceset vendimmarrëse.
“Shqipëria nuk është lodër. Në javët që vijnë do të jemi në fshatra dhe qytete për të ndërtuar programin e kësaj partie. Shqiptarët meritojnë një politikë që i dëgjon, drejtues me mandate të kufizuara, jo privilegje për themeluesit. Ftojmë shqiptarët të bashkohen, se e ardhmja e Shqipërisë nuk ndërtohet në një rreth të mbyllur, por nga të gjithë ne. Kjo parti është nismë e studentëve, ka edhe pedagogë dhe persona të aftë në fusha të ndryshme që duan të japin kontributin e tyre”, u shpreh një prej studentëve gjatë prezantimit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






