Transmetuar më 26-11-2026, 16:32

BRUKSEL — Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka deklaruar të enjten se udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë ende shumë larg arritjes së një dakordësie mbi buxhetin e ri shtatëvjeçar të bllokut për periudhën 2028-2034, i cili kap vlerën e pothuajse 1.6 trilionë eurove.

Duke folur përpara nisjes së samitit të jashtëzakonshëm të BE-së në Bruksel, Meloni e bëri të qartë se Roma nuk do të pranojë kushte financiare të pafavorshme për Italinë.

“Jemi vite dritë larg një zgjidhjeje. Ne nuk jemi të gatshëm të miratojmë një buxhet sipas të cilit do të na duhej të jepnim më shumë për të marrë më pak”, u shpreh kryeministrja italiane.

Ndonëse buxheti i ardhshëm hyn në fuqi në vitin 2028, liderët evropianë synojnë ta mbyllin marrëveshjen brenda fundit të këtij viti, për të shmangur vështirësitë që pritet të sjellë kalendari zgjedhor i vitit të ardhshëm në shtatë vende anëtare, përfshirë Francën, Italinë, Poloninë, Greqinë, Estoninë, Finlandën dhe Sllovakinë. Miratimi i buxhetit shtatëvjeçar kërkon unanimitetin e të gjitha 27 vendeve anëtare.

Gjatë fjalës së saj, Meloni shprehu gjithashtu shqetësimin e qeverisë italiane për rrezikun e përhapjes së konfliktit Rusi-Ukrainë në pellgun e Mesdheut, pas sulmit të së dielës ku forcat ukrainase fundosën një anije ushtarake ruse në ujërat e Libisë.

“Besoj se lufta nuk duhet të zgjerohet në Mesdhe. Duhet të jemi të qartë me miqtë tanë ukrainas dhe me partnerët tanë. Kam ndërmend të jem shumë e qartë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy”, paralajmëroi Meloni.

Qëndrimi i kryeministres italianë vjen në të njëjtën linjë me deklaratat e ministrit të Jashtëm, Antonio Tajani, i cili një ditë më parë bëri të ditur se i kishte përcjellë homologut ukrainas, Andrii Sybiha, angazhimin e palëkundur të Italisë për ruajtjen e integritetit territorial të Libisë. Po ashtu, edhe partia “Lega”, pjesë e koalicionit qeverisës në Romë, e dënoi sulmin në ujërat libiane si të papranueshëm, duke paralajmëruar se një veprim i tillë rrezikon destabilizimin e vendit të Afrikës Veriore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit