

BRUKSEL — Kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, ka paralajmëruar se Zagrebi nuk do të lejojë mbylljen e Kapitullit 31 në negociatat e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian, pa u zgjidhur më parë çështja e kufirit tokësor mes dy vendeve.
Duke folur nga Brukseli, Pllenkoviq dërgoi një mesazh të prerë për autoritetet në Podgoricë, duke theksuar se mosmarrëveshjet territoriale përbëjnë pengesë themelore për rrugëtimin evropian të Malit të Zi.
“Mund të them lirisht: kapitulli 31 nuk do të mbyllet derisa të zgjidhet çështja e demarkimit në kufirin tokësor. Një mesazh i qartë, që nuk mund të jetë më i qartë, por edhe miqësor. Në fund të fundit, nëse ky është problem, atëherë duhet ta dëgjojmë qartë. Nëse dëgjojmë një mesazh të qartë nga pala malazeze, ‘ne nuk konsiderojmë se ka konflikt në pikën ku kufiri tokësor takohet me detin’, atëherë kemi problem. Dhe në atë rast nuk mund të ulemi në të njëjtën tryezë të familjes që quhet Bashkimi Evropian. Kjo është thelbësore”, deklaroi kryeministri kroat.
Kapitulli 31, i cili mbulon politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes, u bllokua nga Kroacia në vitin 2024, pas miratimit nga Kuvendi i Malit të Zi të rezolutës për Jasenovacin, çka solli përkeqësim të marrëdhënieve bilaterale.
Nga ana tjetër, presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, kujtoi më 25 nëntor se as Kroacia nuk e kishte zgjidhur kontestin kufitar me Slloveninë në momentin e anëtarësimit në BE, duke propozuar që çështja t’i dërgohet Gjykatës Ndërkombëtare ose arbitrazhit nëse nuk arrihet marrëveshje dypalëshe. Pllenkoviq e refuzoi kategorikisht këtë propozim, duke argumentuar se Zagrebi nuk ka besim tek arbitrazhi dhe se rrethanat historike mes dy vendeve janë krejtësisht të ndryshme.
“Raporti mes Kroacisë dhe Malit të Zi dhe raporti mes Kroacisë dhe Sllovenisë nuk është i njëjtë. Mali i Zi ishte pjesë e ish-Jugosllavisë, e cila zhvilloi agresion të armatosur ndaj territorit kroat. Prevllaka, Konavlle, shkatërrimi i Dubrovnikut, praktikisht arritja e okupimit deri në Sllano”, u shpreh Pllenkoviq, duke i kërkuar Podgoricës një marrëveshje të drejtpërdrejtë.
Ky qëndrim i Zagrebit rrezikon seriozisht objektivin e Qeverisë malazeze për të mbyllur negociatat deri në fund të këtij viti dhe për të nënshkruar Traktatin e Anëtarësimit në verën e vitit 2027. Ndonëse Komisioni Evropian e ka vlerësuar këtë afat si realist, çdo vendim në procesin e zgjerimit kërkon unanimitetin e të gjitha shteteve anëtare, ndërsa deri në fund të vitit kanë mbetur vetëm rreth njëzet ditë pune sipas kalendarit evropian.
Kontesti kufitar përqendrohet në gadishullin e Prevllakës, në hyrje të Gjirit të Kotorrit, një mosmarrëveshje e trashëguar që nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë në vitet ’90, që përfshin tokën, detin dhe nëntokën detare. Kroacia kërkon heqjen dorë nga diskutimet për kufirin tokësor dhe fokusimin te kufiri detar, duke paralajmëruar se çdo dyshim mbi kufirin tokësor do të shihet si pretendim territorial.
“Çdo vënie në pikëpyetje e kufirit tokësor, Kroacia do ta interpretojë si pretendim territorial të Malit të Zi ndaj Kroacisë. Po flas në mënyrë eksplicite, e kam fjalën për Prevllakën”, tha Pllenkoviq.
Prej vitit 2002, kjo zonë administrohet përmes një protokolli të përkohshëm, sipas të cilit pjesa tokësore e Prevllakës dhe një brez i ngushtë detar pranë kepit të Ostrosit kontrollohen nga Kroacia, ndërsa hapësira detare në bregun e majtë ka statusin e “detit të askujt”, duke i mundësuar Malit të Zi kontrollin mbi hyrjen në Gjirin e Kotorrit. Ky regjim i përkohshëm zgjat prej 24 vitesh, ndërkohë që komisioni i përbashkët dypalësh nuk është mbledhur që prej vitit 2015.
Zgjidhja e kufirit është një nga tetë kushtet e Kroacisë për Malin e Zi. Përveç Kapitullit 31, Zagrebi po bllokon aktualisht edhe mbylljen e përkohshme të Kapitullit 14 për transportin dhe Kapitullit 15 për energjetikën, ku ky i fundit lidhet drejtpërdrejt me kërkimet për naftë dhe gaz në zonën detare ende të pademarkuar mes dy shteteve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






