

TIRANË — Komisionerja evropiane Marta Kos ka përcaktuar tri prioritete kryesore që Shqipëria duhet të përmbushë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vitin 2027 si një moment vendimtar për vendin.
Në deklaratën e saj, Kos vuri theksin te vijimësia e reformave dhe zbatimi konkret i ligjit në fusha kyçe si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe respektimi i standardeve mjedisore. Ajo kërkoi gjithashtu rritjen e pjesëmarrjes në procesin legjislativ dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike përmes dialogut demokratik, duke u bërë thirrje të gjitha forcave politike të bashkohen rreth këtij objektivi kombëtar.
“Viti 2026 ka qenë një vit i mrekullueshëm. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë. Për ta arritur këtë, sipas mendimit tim, nevojiten tri gjëra. Së pari, është e rëndësishme të vazhdoni rrugëtimin e reformave dhe të tregoni se legjislacioni zbatohet në praktikë, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe në përmbushjen e standardeve mjedisore. Së dyti, është e rëndësishme të fuqizohet pjesëmarrja në procesin ligjor, legjislativ. Së treti, dallimet politike duhet të trajtohen përmes dialogut demokratik. Të gjitha rrymat politike në Shqipëri duhet të bashkohen, sepse anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një projekt kombëtar,” tha Marta Kos.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






