

KËLN — Një gjykatë në perëndim të Gjermanisë ka urdhëruar këtë të enjte kryedioqezën e Këlnit të paguajë rreth 550 mijë euro dëmshpërblim ndaj një gruaje për abuzimin seksual që ka pësuar, duke shënuar shumën më të madhe të akorduar ndonjëherë nga një gjykatë gjermane për një viktimë të abuzimit brenda Kishës Katolike.
Sipas Gjykatës së Lartë Rajonale të Këlnit, dëmshpërblimi më i lartë i dhënë më parë ishte 300 mijë euro. Nga shuma e caktuar prej 550 mijë eurosh do të zbriten 360 mijë euro që paditëses i janë paguar tashmë nga Komisioni i Pavarur i Kishës Katolike për Pagesat e Njohjes së Dëmit.
Paditësja kishte kërkuar në padi një dëmshpërblim më të lartë, prej të paktën 830 mijë eurosh, ndërsa fillimisht Gjykata Rajonale e Këlnit ia kishte rrëzuar plotësisht kërkesën.
Nuk ka asnjë kontestim mbi faktin se gruaja u abuzua rëndë seksualisht gjatë viteve 1970 dhe 1980, kur ishte fëmijë dhe ndodhej në kujdestarinë e priftit, i cili në vitin 2022 u dënua me 12 vite burg.
Shkalla e parë kishte vlerësuar më herët se kryedioqeza nuk mbante përgjegjësi për veprimet e priftit, me arsyetimin se ai kishte vepruar “pak a shumë si një individ privat”. Megjithatë, Gjykata e Lartë Rajonale vërejti një lidhje të drejtpërdrejtë mes rolit të tij kishtar dhe abuzimit, pa dhënë leje për apelim ndaj këtij vendimi.
Kryetari i trupit gjykues, Ralf-Peter Sossna, deklaroi se prifti kishte kontaktuar paditësen “nën mbulesën e veprimtarisë së tij kishtare”, në kohën kur shërbente si dhjak, përpara se të bëhej kujdestari i saj. Sipas Sossna-s, pikërisht pozicioni si dhjak i kishte siguruar atij “një histori të besueshme mbuluese” dhe statusin e nevojshëm për të marrë fillimisht fëmijë në kujdestari.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






