

TIRANË — Dy ekspertë të Komisionit të Venecias kanë mbërritur në Tiranë për të ofruar asistencë teknike pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, i cili bashkëdrejtohet nga deputeti socialist Damian Gjiknuri dhe deputeti demokrat Oerd Bylykbashi. Në qendër të diskutimeve të tyre pritet të jetë projektligji për financimin e partive politike dhe shkalla e reflektimit të rekomandimeve të Venecias në draftin aktual.
Kjo vizitë zhvillohet në vijim të ftesës zyrtare që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i përcolli Komisionit të Venecias më 19 nëntor, pas dakordësisë paraprake të arritur mes dy bashkëkryetarëve të komisionit.
Ndërsa kanë mbetur vetëm katër ditë nga përfundimi i mandatit të komisionit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike vijojnë të jenë në pozita të kundërta sa i përket zgjatjes së afatit të punës. Bashkëkryetari Oerd Bylykbashi ka kërkuar shtyrjen e mandatit përtej datës 30 nëntor, në mënyrë që ekspertët e Komisionit të Venecias dhe të OSBE/ODIHR-it të kenë kohën e nevojshme për të përmbyllur vlerësimin, kërkesë e cila është kundërshtuar nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla.
Përveç afatit, Bylykbashi ka shprehur rezerva edhe për mënyrën e formulimit të kërkesës drejtuar ekspertëve ndërkombëtarë, duke këmbëngulur që asistenca e tyre të mbulojë të gjithë paketën e reformës zgjedhore, përfshirë edhe garantimin e ndarjes së shtetit nga partia.
Përplasja mes mazhorancës dhe opozitës mbetet e hapur edhe lidhur me sistemin e zgjedhjes së deputetëve. Partia Demokratike kërkon lista 100 për qind të hapura që u japin qytetarëve të drejtën e plotë të zgjedhjes së përfaqësuesve, ndërsa Partia Socialiste e kushtëzon hapjen e plotë të listave me reduktimin e numrit të deputetëve në Kuvend, nga 140 në 101.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






