

ABU DABI — Një episod i pazakontë është shënuar në Ligën e Kampionëve të Azisë 2, gjatë ndeshjes mes skuadrës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Al Jazira, dhe ekipit iranian Gol Gohar, ku arbitri kryesor u zëvendësua në pushimin mes dy pjesëve.
Gjyqtari sirian Hanna Hattab u zëvendësua në pushim të takimit nga gjyqtari i katërt, Ammar Abu Alou, pasi gjatë 45 minutave të para shfaqi sjellje të pazakontë dhe pasiguri në vendimmarrje.
Situata më e diskutueshme ndodhi rreth minutës së 32-të, kur pas një ndërhyrjeje të parregullt në mesfushë ndaj Ali Asghar Ashourit, Hattab ndëshkoi me karton të verdhë portierin e Al Jaziras, Ersin Destanoglu, i cili nuk kishte asnjë lidhje me rastin. Vendimi solli paqartësi në fushë dhe u revokua vetëm pas bisedimeve të gjata me asistentët.
Tensionet u rritën në pushimin e ndeshjes, kur përfaqësuesit e Gol Gohar paralajmëruan se nuk do të ktheheshin në fushë për pjesën e dytë, duke pretenduar se arbitri nuk ishte në gjendje të rregullt dhe duke hedhur akuza se ai ishte parë duke konsumuar alkool përpara nisjes së sfidës.
Deri tani, konfederata aziatike nuk ka publikuar një njoftim zyrtar mbi ngjarjen apo masa të mundshme disiplinore, ndërsa pretendimet e klubit iranian mbeten të pakonfirmuara.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






