Transmetuar më 26-11-2026, 14:23

TIRANË — Ministri i Brendshëm, Ervin Demo, ka bërë të ditur se janë pezulluar nëntë punonjës policie lidhur me zhvillimet e ditëve të fundit gjatë protestave në Tiranë, duke nënvizuar se rastet e denoncuara po hetohen nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe Prokuroria.

Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi rrethanat e individëve të përfshirë dhe mbi zbatimin e proporcionalitetit nga forcat e rendit, Demo u shpreh se nuk mund të ofrojë përgjigje të detajuara për çështje që janë ende nën hetim, ndërsa kritikoi opozitën për mosdënim të dhunës.

“Për pyetje specifike që lidhen me rrethanat e individëve të caktuar, nuk mund të jap përgjigje konkrete, sepse duhet të hetohen. Më vjen keq që zgjedhim vetëm një pjesë të asaj që ne shohim. Do të ishte e pafalshme për një parti politike që nuk dënon dhunën dhe për ditë të tëra nuk ka thënë asnjë fjalë për atë që ndodhi prej disa ditësh në Tiranë. Në rast se nuk është zbatuar proporcionaliteti, kemi pezulluar nëntë policë. AMP po heton. Policia dhe AMP po hetojnë me Prokurorinë rastet që janë regjistruar për denoncimet”, deklaroi ministri i Brendshëm.

Ai theksoi se detyra e policisë është garantimi i të drejtës për protesta paqësore, por shtoi se ligji vlen njësoj për të gjithë dhe se duhet mbrojtur jeta, pronësia private, institucionet dhe efektivët e rendit.

“Ligjin duhet ta kërkojmë të zbatohet nga të gjithë. Nuk diferencoj një polic nga një qytetar, ligji është i barabartë për të gjithë kur flasim për të drejtën për të protestuar. E besoj fort që detyra e policisë është të garantojë të drejtën e protestës paqësore. Mos dhunojë individë që ecin në rrugë, policinë, pronën privatë apo institucionet. Nëse biem dakord për këtë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë ndaj meje apo qeverisë dhe policia garanton të drejtën e tyre. I bindur që detyra jonë është të garantojmë këtë të drejtë. Por ju jeni një forcë politike më e madhja opozitare, por duhet të mbajmë edhe përgjegjësi për qëndrimin ndaj dhunës ndaj policisë”, u shpreh Demo.

Në vijim të deklaratës së tij, ministri i Brendshëm solli si shembull vendet evropiane për ashpërsinë e masave ligjore dhe rolin e opozitës në dënimin e dhunës, duke ngritur pikëpyetje mbi organizimin e grupeve të dhunshme në Tiranë.

“Vendet europiane i kanë ashpërsuar masat shtrënguese siç ne nuk i kemi fare. Pse qenka Franca, Gjermania, Italia, Spanja vend demokratik dhe ne nuk jemi. Janë demokratike sepse besojnë në parimin, opozita del dhe dënon dhunën, këtu nuk e bën. T’ju bëj një pyetje, është PD në dijeni dhe organizim të grupeve të caktuara për të ushtruar dhunë në Tiranë?”, deklaroi Ervin Demo.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit