

TIRANË — Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ligjit të ri për ndarjen administrativo-territoriale, i cili ul numrin e bashkive në vend nga 61 në 46.
Lajmin e bëri të ditur kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nëpërmjet një videomesazhi, duke bërë me dije se opozita ka paraqitur argumentet e saj mbi shkeljet kushtetuese gjatë miratimit të ligjit dhe ka kërkuar pezullimin e tij, si dhe shqyrtimin me përparësi.
“Të dashur bashkëqytetarë, të nderuar qytetarë të 15 bashkive, të cilat Edi Rama i shkriu me një të rënë të lapsit. Dje grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e ndarjes së re administrative-territoriale që uli numrin e bashkive në mënyrë të pajustifikuar nga 61 në 46 bashki. Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, grupi ynë parlamentar ka evidentuar qartë shkeljet kushtetuese që mazhoranca ka kryer në miratimin e ligjit të ri për ndarjen e reformës administrativo-territoriale”, u shpreh Bardhi.
Sipas kreut të grupit parlamentar demokrat, kërkesa bazohet në tri shkelje kryesore, duke nisur nga procedura e votimit në Kuvend, mungesa e konsultimit publik dhe cenimi i autonomisë vendore.
“Së pari është evidentuar se miratimi i ligjit është bërë pa patur shumicën e cilësuar të kërkuar nga Kushtetuta për shkak të pavlefshmërisë së tre votave të dhëna gjatë seancës plenare. Së dyti është evidentuar qartësisht se nuk ka patur asnjë konsultim paraprak me qytetarët, të cilët masivisht e kishin kundërshtuar ligjin e ri për ndarjen administrativo-territoriale. Kjo ka sjellë cënim të autonomisë vendore dhe, siç shprehen autoritetet lokale të Këshillit të Evropës, ka cënuar Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe konkretisht nenin 5 të saj. Dhe së fundmi kemi evidentuar se ky ligj i ri i miratuar vetëm me votat e mazhorancës, pra sipas dëshirës së Edi Ramës, ka cënuar sigurinë juridike”, deklaroi ai.
Bardhi nënvizoi se kërkesa për pezullim dhe shqyrtim të përshpejtuar lidhet edhe me dekretimin e zgjedhjeve vendore për më 9 maj 2027, duke i bërë thirrje Gjykatës Kushtetuese të mbrojë Kushtetutën dhe interesat e banorëve të 15 bashkive të shkrira.
“Për shkak të urgjencës që paraqet kjo çështje, i kemi kërkuar Gjykatës Kushtetuese së pari pezullimin e këtij ligji dhe së dyti shqyrtimin e tij me përparësi, për shkak se presidenti i Republikës, edhe ai në mënyrë të njëanshme, ka dekretuar zgjedhjet e reja vendore për në 9 maj të vitit 2027. Ne kërkojmë nga Gjkata Kushtetuese të respektojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Ne kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese t’i bindet vullnetit të qytetarëve dhe vullnetit të autoriteteve lokale të 15 bashkive, që siç e thashë në nismë të kësaj deklarate, kanë qenë kundër ligjit të ri të miratuar vetëm me votat e Edi Ramës. Uroj dhe shpresoj që Gjykata Kushtetuese të ngrihet në lartësinë e detyrës dhe të mbrojë interesin e qytetarëve, por mbi të gjitha të mbrojë Kushtetutën”, tha Bardhi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






