

TIRANË — Partia Socialiste ka ndryshuar ulësen e deputetes Elisa Spiropali në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, duke e sistemuar në rreshtat e fundit, pranë bankave të deputetëve të Partisë Demokratike.
Ky ndryshim në renditjen brenda sallës së Parlamentit vjen menjëherë pas përjashtimit të Spiropalit nga grupi parlamentar socialist dhe përplasjeve të ashpra publike të saj me kryeministrin Edi Rama gjatë javëve të fundit.
Dy ditë më parë, grupi parlamentar i Partisë Socialiste miratoi me votë përjashtimin e deputetes Spiropali, ndërsa Erion Braçe dhe Bledi Çuçi ishin të vetmit që shënuan abstenim.
Vendimi për largimin nga grupi parlamentar u parapri nga shkarkimi i saj nga forumet drejtuese të PS-së, pas kërkesës së bërë nga kryeministri Edi Rama në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të 14 nëntorit.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






