Transmetuar më 26-11-2026, 13:12

PRISHTINË — Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës nën dyshimin për përfshirje në një skemë të organizuar mashtrimi me investime online, krim të organizuar dhe përfitim të paligjshëm financiar.

Operacioni policor u ekzekutua më 25 nëntor në katër lokacione të ndryshme në Prishtinë dhe Fushë Kosovë, në zbatim të urdhrit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Aksioni u drejtua nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me njësitë e tjera hetimore.

Sipas të dhënave paraprake nga hetimi, të dyshuarit kontaktonin viktimat, kryesisht shtetas të huaj, përmes komunikimeve telefonike dhe elektronike, duke i bindur të investonin shuma parash në platforma fiktive investimi dhe duke u shkaktuar atyre dëme të rënda financiare.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në terren, autoritetet sekuestruan pasuri dhe asete me vlerë totale mbi 1 milion euro, mes të cilave 19 automjete, një motoçikletë, gjashtë telefona celularë, pesë kompjuterë, gjashtë pajisje USB dhe 4,095 euro para të gatshme. Po ashtu, u gjetën dhe u sekuestruan 11.28 gramë substancë e dyshuar narkotike, si dhe dokumente të rëndësishme për dosjen hetimore.

Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës njoftojnë se hetimet po vijojnë intensivisht për të zbardhur të gjitha hallkat e kësaj skeme mashtrimi dhe për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit