Transmetuar më 26-11-2026, 13:06

SHKODËR — Policia ka shpallur sërish në kërkim Vinçesk Pirolin, si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së ish-efektivit të policisë, Frrok Lleshi, ngjarje e ndodhur më 4 gusht 2025 në fshatin Paçram të Vaut të Dejës.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi Piroli la qelinë me vendim të Gjykatës së Apelit, e cila më 19 nëntor i zbuti masën e sigurisë nga “Arrest në burg” në “Arrest në shtëpi”. Ai kishte qëndruar vetëm 38 ditë në paraburgim, pasi ishte arrestuar më 11 tetor së bashku me Kristian Ymerin dhe Elden Tarjan në kuadër të operacionit policor “Detajet”, nën dyshimet se po përgatisnin një atentat në zonën e Lezhës, ku policia sekuestroi tri armë zjarri, municion luftarak dhe një motomjet të vjedhur në Suedi.

Ndërkohë, hetimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Prokurorinë kanë çuar në zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ekzekutimit me armë zjarri të 65-vjeçarit Frrok Lleshi, ku një nga pistat kryesore të hetimit ka qenë ajo e hakmarrjes së mundshme.

Mbi bazën e provave të grumbulluara, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit Kristian Ymeri (Shkambi) dhe Vinçesk Piroli, të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Sipas të dhënave zyrtare, Kristian Ymeri (Shkambi) ndodhet aktualisht i ndaluar në kuadër të hetimeve për një tjetër vepër penale, ndërsa Vinçesk Piroli, i cili ndodhej nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për çështjen tjetër, është shpallur në kërkim për ekzekutimin e urdhër-arrestit të ri.

Njoftimi i policisë:

Zbardhet dhe dokumentohet vrasja me armë zjarri e shtetasit F. Ll., e ndodhur më 4 gusht 2025, në fshatin Paçram.

Gjykata cakton masën e sigurisë “Arrest në burg” për dy shtetas, të dyshuar për kryerjen e vrasjes në bashkëpunim.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit të DVP Shkodër, në bashkëpunim me prokurorin e çështjes, në vijim të hetimeve për zbardhjen dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më 04.08.2025, në fshatin Paçram, Vau i Dejës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi F. Ll., kanë vijuar veprimet hetimore për identifikimin dhe dokumentimin ligjor të autorëve të dyshuar.

Në bazë të provave të siguruara gjatë hetimeve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër caktoi masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit K. Y. (Sh.) dhe V. P., të dyshuar për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Shtetasi K. Y. (Sh.) është aktualisht i ndaluar për një vepër tjetër penale, ndërsa shtetasi V. P. ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për një vepër tjetër penale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit