Transmetuar më 26-11-2026, 12:25

TIRANË — Ka ndërruar jetë këtë të enjte, më 26 nëntor, mjeku i njohur kirurg dhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Ylli Ziçishti, duke lënë pas një karrierë të gjatë në shërbim të mjekësisë shqiptare dhe jetës publike.

I lindur më 15 shkurt 1950 në Tiranë, me origjinë familjare nga fshati Ziçisht i Devollit, ai u bë i njohur si për kontributin e tij profesional në kirurgji, ashtu edhe për historinë e vështirë të familjes së tij gjatë regjimit komunist. Ai ishte djali i ish-zyrtarit të lartë Mihallaq Ziçishti dhe nipi i ish-ministrit të Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, i cili u ekzekutua në vitin 1983 pas goditjes së grupit të Mehmet Shehut.

Si pasojë e persekutimit politik ndaj familjes, në fillim të viteve ’80 Ylli Ziçishti u internua nga autoritetet e kohës fillimisht në Koman e më pas në Dukagjin, për t’u transferuar në vitin 1983 në Tepelenë, ku vijoi të ushtronte profesionin e mjekut. Gjatë kësaj periudhe të rëndë, për të mbrojtur bashkëshorten dhe djalin e vogël nga pasojat e represionit, u detyrua të ndahej përkohësisht nga familja, me të cilën u ribashkua më vonë.

Pas përfundimit të studimeve të larta për mjekësi në Tiranë dhe specializimeve të mëtejshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ziçishti u afirmua si një nga figurat më të spikatura të kirurgjisë në vend. Për 16 vite me radhë ai drejtoi shërbimin e Urgjencës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, duke kontribuar në trajtimin e mijëra pacientëve.

Në vitin 2013, Ylli Ziçishti iu bashkua jetës parlamentare si përfaqësues i Partisë Socialiste, duke u zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë për qarkun e Korçës, në zonën e Devollit, mandat të cilin e ushtroi deri në vitin 2017.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit