

TIRANË — Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka hedhur akuza në seancën e sotme plenare në Kuvend ndaj kryetarit të Parlamentit, Niko Peleshi, dhe mazhorancës socialiste, duke i akuzuar për përdorimin e standardeve të dyfishta në drejtimin e debatit parlamentar.
Gjatë fjalës së tij nga foltorja, Korreshi ironizoi drejtuesin e seancës, duke e pyetur nëse dëgjonte nga ana e majtë e sallës, pasi sipas pretendimit të tij, Peleshi nuk kishte marrë masa ndaj fjalorit fyes të përdorur nga kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
“Do të bëj një pyetje të sinqertë. Dëgjoni nga veshi i majtë? Nga ana e majtë dëgjoni? Ta them këtë sepse, nëse do të lejojmë sharjet dhe fyerjet këtu, do të kthehemi te berberhanet dhe briskut. U bë disa herë që shahet dhe fyhet nga ana e majtë. Nuk ju ka hije të shajë kreu i grupit të PS-së dhe ju bëni sikur nuk dëgjoni. E kemi edhe ne briskun me vete. Tha të na hash atë që s’thuhet partisë sonë. Çfarë t’i hash partisë suaj…”, u shpreh deputeti demokrat.
Në vijim të diskutimit, Korreshi shprehu kundërshtimin e tij të fortë edhe ndaj projektligjit të ri për tubimet, duke paralajmëruar se ndryshimet e propozuara cenojnë të drejtat dhe liritë themelore të qytetarëve dhe synojnë të legjitimojnë dhunën policore ndaj protestuesve.
“Mbi projektligjin për tubimet, nuk mund të lejoni që, me atë akt çnjerëzor, të kthehet diktatura. Nuk mund të legalizoni shkopinjtë e gomës, dajakun e dhënë nga mëngjesi në darkë ndaj protestuesve, gazin lotsjellës që nuk i dihet origjina dhe skadenca, si dhe pushkët që u keni drejtuar protestuesve. Akti normativ nuk mund të shkojë kundër lirive themelore të njeriut”, deklaroi Saimir Korreshi.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






