

UEFA Conference League rikthehet këtë të enjte me 18 ndeshje të vlefshme për javën e katërt të fazës së ligës. Vëmendja kryesore në Shqipëri është e përqendruar tek Egnatia, e cila pret skuadrën e Lincoln Red Imps në orën 18:45, në një përballje vendimtare për vazhdimësinë e saj në këtë kompeticion europian.
Kampionët e Shqipërisë kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë për t’u rikthyer te rezultatet pozitive, pas barazimit 1-1 me Midtjyllandin në debutim dhe humbjes 2-0 ndaj Universitatea Craiova në sfidën e fundit. Përballë do të kenë ekipin nga Gjibraltari, i cili vjen gjithashtu me ambicie për të mbajtur gjallë shpresat e kualifikimit.
Në sfidat e tjera kryesore të mbrëmjes spikat përballja mes Brighton dhe Universitatea Craiova, ndërsa Atalanta udhëton në Bosnjë-Hercegovinë për t’u ndeshur me Boracin. Ajax pret skuadrën e Thun-it, Monaco luan në transfertë ndaj Hearts, ndërsa Freiburg dhe Twente përballen në Gjermani.
Pas tri javëve të para, gara për tetë vendet e para që sigurojnë kualifikimin direkt në fazën e 1/8-ave mbetet e hapur, ndërsa skuadrat e renditura nga vendi i 9-të deri në të 24-in do të kërkojnë biletën përmes fazës së play-off-it. Për Egnatian, dueli ndaj Lincoln Red Imps paraqet një mundësi të rëndësishme për të përmirësuar pozitat në tabelën e renditjes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






