Transmetuar më 26-11-2026, 10:51

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka shpallur sot vendimin për tre të pandehurit në fraksionin e ndarë të dosjes "Meta-Kryemadhi", të cilët u gjykuan me procedurën e gjykimit të shkurtuar.

Gjykata vendosi të shpallë të pafajshëm Pirro Xhixhon, ndërsa dënoi me shërbim prove Fatime Kryemadhin (nënën e Monika Kryemadhit) dhe Ema Çokun. Po ashtu, togat e zeza rrëzuan kërkesën e SPAK për konfiskimin e vilës së Fatime Kryemadhit në rezidencën "Kodra e Diellit".

Përmbledhja e vendimit të GJKKO-së:

Pirro Xhixho: Shpallet i pafajshëm për akuzën e "Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë", kryer në bashkëpunim (nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal), pasi nuk provohet kryerja e veprës penale. Gjykata urdhëroi gjithashtu heqjen e masës së sigurimit "Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore".

Fatime Kryemadhi: Deklarohet fajtore për veprën penale "Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale" (neni 287/2 i Kodit Penal) dhe dënohet me 7 vjet e 6 muaj burgim. Nga aplikimi i gjykimit të shkurtuar (neni 406), dënimi ulet me 1/3, duke zbritur në 5 vjet burgim. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vënien e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mos mbajë kontakte me persona të dënuar, përveç familjarëve.

Ema Çoku: Deklarohet fajtore për veprën penale "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" (neni 301 i Kodit Penal) dhe dënohet me 2 vjet burgim. Me gjykim të shkurtuar, dënimi ulet në 1 vit e 4 muaj burgim. Gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe konvertimin e tij në 2 vjet e 8 muaj shërbim prove, me kusht që të mos kryejë vepër tjetër penale dhe të mos shoqërohet me persona të dënuar (përveç familjarëve). Gjithashtu, u hoq masa e sigurimit "Detyrim paraqitje".

Pasuria e paluajtshme: Gjykata vendosi rrëzimin e kërkesës së SPAK për konfiskimin e vilës nr. 163 në pronësi të Fatime Kryemadhit, e ndodhur në Rr. "Jaseminëve", Rezidenca "Kodra e Diellit" (Selitë, Tiranë). Bëhet fjalë për një godinë trekatëshe plus kat nëntokë (me sipërfaqe nëntokë 139 m², kat përdhe 152 m² së bashku me verandën, kat i parë 79 m², dhe kat i dytë 51 m² plus 27.9 m² verandë).

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit