

SHKODËR – Detaje të rënda janë zbardhur lidhur me rastin e abuzimit seksual ndaj një vajze 13-vjeçare nga Shkodra, e cila u gjet pas denoncimit të bërë në polici nga nëna e saj. Të dhënat e reja hedhin dritë mbi itinerarin e lëvizjeve të të miturës në disa qytete të vendit, kontaktet e krijuara në rrjetet sociale dhe rrethin e personave të vënë nën hetim.
Sipas informacioneve të bëra publike në emisionin “Opinion” nga gazetarja Glidona Daci, pas largimit nga Shkodra, e mitura ka udhëtuar fillimisht drejt Fierit, e më pas në Gjirokastër dhe Tiranë, ku ka frekuentuar edhe ambiente hotelerie. Pika e kthesës për hetuesit ishte identifikimi i një taksisti në Shkodër, me të cilin vajza kishte pasur kontakte; dëshmia e tij mbi vendin ku e kishte lënë në Fier vuri në lëvizje disa komisariate, duke çuar në gjetjen e 13-vjeçares në ambientet e një parukerie.
Gjatë marrjes në pyetje nga grupi hetimor, e mitura ka pohuar se kishte lëvizur edhe drejt Durrësit, Vlorës dhe Burrelit. Ajo dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dy shtetas, ndaj njërit prej të cilëve është ngritur tashmë akuza zyrtare për marrëdhënie seksuale me të mitura.
Në total, shtatë persona ndodhen aktualisht nën hetim për këtë çështje. Hetimet kanë zbuluar se njohjet dhe kontaktet me këta shtetas janë realizuar përmes aplikacionit Snapchat, ndërsa 13-vjeçarja kishte fikur telefonin për t’i shpëtuar gjurmimit të policisë. Një element tejet shqetësues i dosjes lidhet me deklaratën e saj para uniformave blu, ku mësohet të ketë pohuar se këtë rrugë e shihte si mënyrë për të fituar shumë para.
Nga verifikimet e mëtejshme rezulton se e mitura ishte larguar edhe më herët nga banesa, por atëherë ishte gjetur brenda një kohe të shkurtër në qytetin e Shkodrës. Po ashtu, bëhet me dije se babai i vajzës ndodhet aktualisht në burg në Malin e Zi, ku po vuan dënimin për trafik lëndësh narkotike.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






