Transmetuar më 26-11-2026, 09:24

TIRANË – Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka depozituar në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj që parashikon zgjatjen me një vit të afatit për procesin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

Nisma ligjore, e firmosur nga deputeti Olsi Komici në emër të grupit socialist, synon ndryshimin e ligjit nr. 85/2025, duke e shtyrë afatin aktual nga fundi i këtij viti deri më 31 dhjetor 2027. Qëllimi kryesor i këtij propozimi është t’u jepet individëve dhe personave juridikë një hapësirë më e gjerë kohore për të plotësuar dokumentacionin dhe për të përfituar nga procesi i rivlerësimit, pa u penalizuar nga ngarkesa apo kufizimet kohore.

Projektligji sjell gjithashtu një garanci të rëndësishme për qytetarët dhe bizneset që dorëzojnë aplikimet në ditët e fundit. Për të gjitha kërkesat e paraqitura pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës deri më 31 dhjetor 2027, për të cilat është shlyer tatimi përkatës, propozohet një afat shtesë deri më 31 mars 2028 për përfundimin e procedurave administrative. Kjo masë synon që subjektet të mos cenohen nga vonesat burokratike të institucioneve përgjegjëse.

Nga ana tjetër, nisma qartëson edhe aspektin financiar për bizneset. Për personat juridikë që do ta kryejnë rivlerësimin gjatë vitit 2027, diferenca ndërmjet vlerës së re të pasurisë dhe asaj kontabël do të pasqyrohet drejtpërdrejt në pasqyrat financiare të po atij viti, duke garantuar siguri juridike dhe transparencë në raportimet e tyre.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit