Transmetuar më 26-11-2026, 08:02

Tiranë – Ndërsa kujdesi familjar në Shqipëri po bëhet gjithnjë e më i vështirë për t’u siguruar, alternativa e punësimit të një kujdestari me pagesë mbetet e papërballueshme për shumicën dërrmuese të pensionistëve. Sipas një ankete të realizuar nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në vitin 2025 dhe të cituar në raportin e fundit të UN Women mbi ekonominë e kujdesit, 8 në 10 të moshuar në vend, ose 80% e tyre, nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një kujdestar.

Aktualisht, 95% e të moshuarve mbështeten ekskluzivisht te familjarët për përkujdesjen e përditshme, ndërsa vetëm 5% marrin ndihmë nga persona jashtë rrethit familjar dhe vetëm 2% përfitojnë kujdestarë me pagesë, kryesisht përmes skemave të financuara nga shteti. Kjo varësi nga familja po goditet rëndë nga emigracioni masiv, ku mes të moshuarve që nuk kanë një kujdestar, 61% përmendin mungesën e të afërmve si arsyen kryesore, një dukuri që shfaqet edhe më e mprehtë në zonat jashtë Tiranës.

Kapacitetet e shërbimeve institucionale mbeten skajshmërisht të kufizuara në raport me madhësinë e popullsisë së moshuar. Të dhënat e raportit tregojnë se Shqipëria disponon vetëm 23 qendra rezidenciale të kujdesit, të cilat u shërbejnë rreth 705 të moshuarve, çka përfaqëson më pak se 1% të popullsisë mbi 65 vjeç. Paralelisht, në vend funksionojnë 36 qendra komunitare të kujdesit ditor me rreth 3,000 përfitues, por pothuajse gjysma e bashkive në shkallë vendi nuk ofrojnë asnjë shërbim komunitar për moshën e tretë, duke i lënë zonat rurale në mungesë totale të kujdesit profesional.

Një tjetër problematikë e mprehtë lidhet me mungesën e kualifikimit të personave që ofrojnë përkujdesje, pasi rreth 99% e kujdestarëve familjarë deklarojnë se nuk kanë asnjë arsimim formal apo trajnim bazë për këtë punë, megjithëse shpesh kujdesen për të afërm me nevoja komplekse shëndetësore. Për më tepër, gratë përbëjnë më shumë se dy të tretat e kujdestarëve familjarë, duke mbajtur mbi supe pjesën më të rëndë të kësaj barre të papaguar.

Raporti i UN Women konstaton se legjislacioni shqiptar nuk e garanton qartësisht aksesin në kujdesin afatgjatë dhe se mungojnë mekanizmat e mbështetjes financiare kur shërbimet publike nuk janë të disponueshme. Zgjerimi i shërbimeve në banesë dhe në komunitet, profesionalizimi i punonjësve të kujdesit dhe sigurimi i financimit të qëndrueshëm përcaktohen si nevoja urgjente, pasi me plakjen e pandalshme të popullsisë, kostoja e kujdesit pritet të shndërrohet në një sfidë madhore si për buxhetin e shtetit, ashtu edhe për ekonominë e familjeve shqiptare.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit