

Bruksel – Liderët e Bashkimit Evropian dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë miratuar në Bruksel deklaratën e plotë të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku në qendër të diskutimeve dhe angazhimeve kanë qenë perspektiva evropiane e rajonit, procesi i zgjerimit, integrimi gradual në tregun unik dhe avancimi i reformave të anëtarësimit. Teksti i plotë i miratuar më 25 nëntor 2026 përcakton udhërrëfyesin politik, ekonomik dhe të sigurisë mes Brukselit dhe partnerëve të rajonit.
“Ne, udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE), në konsultim me partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor, zhvilluam sot këtë samit në Bruksel dhe arritëm në përfundimet e mëposhtme:
1. Samiti i sotëm, i cili pason samitin e suksesshëm të zhvilluar në Mal të Zi në qershor të vitit 2026, rikonfirmon rëndësinë strategjike në rritje të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe përfitimet që ato u sjellin qytetarëve tanë. Situata gjeopolitike gjithnjë e më e paqëndrueshme, e karakterizuar nga lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe intensifikimi i konkurrencës globale, nënvizon nevojën për lidhje gjithnjë e më të forta ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
2. Ne përsërisim angazhimin tonë të plotë dhe të paekuivok ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin tonë. Zgjerimi është një mundësi reale, e cila duhet shfrytëzuar.
3. Ne rikonfirmojmë rëndësinë e zgjerimit si një investim gjeostrategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin evropian. U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë reformat vendimtare dhe të besueshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore, dhe të përmbushin angazhimet e nevojshme për të përparuar në rrugën drejt BE-së. Ne mirëpresim dinamizmin dhe përparimin e arritur nga partnerët e Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt BE-së që nga samiti i fundit. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit, i bazuar në reforma të besueshme nga partnerët, në kushte të drejta dhe rigoroze, si dhe në parimin e meritave individuale, është në interesin tonë të përbashkët. Paralelisht, dhe në përputhje me Deklaratën e Granadës, BE-ja duhet të çojë përpara përgatitjet dhe reformat e saj për një Bashkim më të zgjeruar.
4. Duke rikujtuar deklaratat e mëparshme, ne ritheksojmë rëndësinë e angazhimit të partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të respektuar vlerat dhe parimet evropiane, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, përparësinë e demokracisë, të drejtat dhe vlerat themelore, si dhe sundimin e ligjit. Ne presim që ata ta dëshmojnë këtë angazhim përmes veprimeve konkrete, duke marrë përgjegjësinë dhe duke zbatuar reformat e nevojshme, veçanërisht në fushën e çështjeve themelore dhe të sundimit të ligjit. Liria e shprehjes, mediat e pavarura dhe pluraliste, barazia gjinore dhe një rol i fuqishëm i shoqërisë civile janë thelbësore për garantimin e një demokracie funksionale. Ne përsërisim thirrjen tonë drejtuar partnerëve për të garantuar të drejtat dhe trajtimin e barabartë të personave që u përkasin pakicave. Çdo glorifikim i kriminelëve të luftës, mohim i gjenocidit dhe revizionizëm bie ndesh me vlerat më themelore evropiane. U bëjmë thirrje të gjithë partnerëve të Ballkanit Perëndimor të kultivojnë një kulturë respekti dhe solidariteti me të gjitha viktimat, si dhe të respektojnë dhe zbatojnë vendimet e gjykatave ndërkombëtare dhe kombëtare që lidhen me krimet e luftës.
5. Bashkëpunimi gjithëpërfshirës rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mbeten thelbësore për ndërtimin e një të ardhmeje të përbashkët, ashtu si edhe zbatimi me mirëbesim dhe me rezultate konkrete i marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë. Nevojiten ende përpjekje të mëtejshme vendimtare për të nxitur pajtimin dhe stabilitetin rajonal, si dhe për të gjetur dhe zbatuar zgjidhje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe detyruese për mosmarrëveshjet rajonale e dypalëshe ndërmjet partnerëve dhe për çështjet që burojnë nga trashëgimia e së kaluarës, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e përcaktuara. Kjo përfshin zgjidhjen e të gjitha rasteve të mbetura të personave të zhdukur dhe trajtimin e çështjeve të pazgjidhura që lidhen me krimet e luftës, duke garantuar llogaridhënien dhe drejtësinë. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme nga partnerët përkatës për të përmbushur të gjitha detyrimet e mbetura sipas Marrëveshjes për Çështjet e Suksedimit dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura që lidhen me suksedimin.
6. Mungesa e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit vazhdon të pengojë të dy partnerët në rrugën e tyre evropiane. Ne rikonfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për dialogun Beograd–Prishtinë për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja, të udhëhequr nga Përfaqësuesi i Lartë dhe të mbështetur nga Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së. Ne inkurajojmë të dy partnerët të shfrytëzojnë momentin aktual politik për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog dhe për të bërë, pa vonesa, përparim konkret drejt zbatimit të plotë të të gjitha marrëveshjeve të arritura. Mbështetja në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor kushtëzohet nga angazhimi konstruktiv i partnerëve, me përparim të matshëm dhe rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve të tyre.
7. Ne do të mbetemi të vendosur në mbështetjen tonë për një paqe gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë, të bazuar në parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare, të mbështetur nga garanci të fuqishme dhe të besueshme sigurie për Ukrainën. Ne do të vazhdojmë t’i ofrojmë mbështetje gjithëpërfshirëse Ukrainës dhe popullit të saj, ndërsa ata mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë luftës së agresionit të Rusisë, në koordinim me partnerët që ndajnë të njëjtat qëndrime. Ne mirëpresim mbështetjen e partnerëve të Ballkanit Perëndimor në këtë përpjekje. Ne do të vazhdojmë të investojmë në multilateralizëm dhe të bashkëpunojmë me partnerët e Ballkanit Perëndimor për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ne vlerësojmë parimet kryesore të sigurisë evropiane, të miratuara me rastin e takimit të Komunitetit Politik Evropian më 12 nëntor 2026.
8. Duke rikujtuar deklaratat e mëparshme, harmonizimi i partnerëve të Ballkanit Perëndimor me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së (PPJS), përfshirë zbatimin dhe garantimin e respektimit të masave kufizuese të BE-së, si dhe luftën kundër anashkalimit të tyre, mbetet një shprehje e fuqishme e zgjedhjes strategjike të partnerëve tanë. Ne vlerësojmë ata partnerë të Ballkanit Perëndimor që janë harmonizuar plotësisht me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe u bëjmë thirrje atyre që ende nuk e kanë bërë këtë, të ndjekin të njëjtin shembull.
9. Ne nënvizojmë interesin e përbashkët për forcimin e bashkëpunimit tonë në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, siç dëshmohet nga Partneritetet tona për Sigurinë dhe Mbrojtjen, si dhe nga Dialogët për Sigurinë dhe Mbrojtjen. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor janë të angazhuar për vazhdimin e bashkëpunimit në kuadër të Instrumentit Evropian të Paqes, me qëllim forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së rajonit. BE-ja mirëpret gjithashtu kontributet e partnerëve në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe të Mbrojtjes të BE-së dhe pret bashkëpunim të mëtejshëm në këtë drejtim.
10. BE-ja vazhdon të mbështesë Ballkanin Perëndimor në përballimin e kërcënimeve kibernetike dhe kërcënimeve të tjera hibride, përfshirë manipulimin e informacionit dhe ndërhyrjet e huaja, që synojnë të minojnë institucionet demokratike dhe procesin e zgjerimit. BE-ja vazhdon gjithashtu të forcojë më tej bashkëpunimin për rritjen e qëndrueshmërisë, përfshirë përmes Qendrës së Kapaciteteve Kibernetike të Ballkanit Perëndimor (WB3C), bashkëpunimit të zgjeruar me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike (ENISA) dhe Mburojës Evropiane të Demokracisë, veçanërisht përmes Qendrës Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike.
11. Afrimi i partnerëve me BE-në që gjatë procesit të zgjerimit mbetet një përparësi strategjike. BE-ja inkurajon partnerët të bashkëpunojnë për të shfrytëzuar maksimalisht mundësitë ekzistuese, ndërkohë që po shqyrtohen propozime të mëtejshme për integrimin gradual, me kusht harmonizimin me legjislacionin përkatës të BE-së (acquis), në mënyrë të kthyeshme dhe të bazuar në merita. Integrimi më i ngushtë ekonomik do të forcojë qëndrueshmërinë e zinxhirëve të furnizimit, konkurrueshmërinë dhe sigurinë ekonomike të të dyja palëve.
12. Në këtë drejtim, ne mirëpresim përparimin në integrimin gradual të partnerëve të Ballkanit Perëndimor në tregun unik të BE-së, bazuar në harmonizimin me legjislacionin përkatës të BE-së, duke respektuar integritetin e tregut unik dhe duke garantuar kushte të barabarta konkurrimi. Kjo përfshin, në veçanti: punën në vazhdim për shtrirjen e zonës së BE-së “Roam like at Home” (Roaming si në vendin tuaj) në Ballkanin Perëndimor, duke u mundësuar qytetarëve të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin celular kudo në BE dhe në rajon, pa kosto shtesë; pjesëmarrjen e 4 partnerëve në skemat e Zonës së Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), së bashku me një aplikim të fundit, që dëshmon një dinamikë pozitive drejt zgjerimit të mëtejshëm të shtrirjes së saj gjeografike; vënien në funksion të sistemeve rajonale të pagesave të menjëhershme, të bazuara në teknologjinë TARGET për Shlyerjen e Pagesave të Menjëhershme (TIPS) të Eurosistemit, duke lehtësuar pagesa më të shpejta dhe më të përballueshme, si dhe një integrim më të madh financiar; nxitjen e shkëmbimeve teknike me synim zhvillimin e dialogëve industrialë në kuadër të nismës “Autostrada e Tregut Unik”, zgjerimin e Korsive të Gjelbra ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, si dhe modernizimin dhe harmonizimin e pikave të kalimit kufitar; bashkimin me nismat digjitale ose zbatimin e modeleve të tyre, siç janë Qendrat e Inovacionit Digjital dhe Portofoli i Identitetit Digjital të BE-së, si dhe përfundimin e instalimit të 500 pikave publike të aksesit Wi-Fi në rajon, në kuadër të nismës WiFi4WB; krijimin e Akademisë së Tregut Unik, e cila do të forcojë kapacitetet administrative dhe do të ofrojë mundësi mësimi për shtetet anëtare të BE-së dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor.
13. Potenciali i Planit të Rritjes për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së varet nga zbatimi efektiv i reformave që lidhen me BE-në nga partnerët tanë. Plani i Rritjes, me deri në 6 miliardë euro për reforma dhe investime, ka potencialin të përshpejtojë rritjen ekonomike në rajon gjatë dekadës së ardhshme. Kjo shumë u shtohet 29 miliardë eurove që po vihen në dispozicion përmes Planit Ekonomik dhe të Investimeve.
14. BE-ja përsërit thirrjen e saj drejtuar partnerëve të Ballkanit Perëndimor për të shfrytëzuar maksimalisht këtë mundësi të paprecedentë, ndërsa ajo hyn në fazën përfundimtare, përmes zbatimit në kohë të reformave. Ne konstatojmë se disa partnerë të Ballkanit Perëndimor kanë përfunduar ose janë në rrugën e duhur për të përfunduar hapat e reformave të planifikuara për 4 periudhat e para gjashtëmujore të raportimit në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje dhe inkurajojmë të gjithë partnerët të përshpejtojnë përpjekjet e tyre.
15. BE-ja thekson rëndësinë e vazhdimit të zbatimit të Tregut të Përbashkët Rajonal, nën koordinimin e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, si dhe të bashkëpunimit konstruktiv në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Ne inkurajojmë përpjekje të mëtejshme për eliminimin e pengesave të mbetura në tregtinë brenda rajonit dhe thjeshtimin e procedurave tregtare, veçanërisht për të lehtësuar aksesin në treg të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Tregu i Përbashkët Rajonal është një hap drejt tregut unik të BE-së.
16. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë forcimin e ndërlidhjes brenda rajonit dhe me BE-në, përfshirë në fushat e energjisë, transportit dhe digjitalizimit, si dhe përpjekjet në vazhdim për diversifikimin e burimeve dhe rrugëve të furnizimit me energji. Kjo do të rrisë sigurinë tonë energjetike dhe do të zvogëlojë varësitë, përmes ndërlidhjeve më të fuqishme ndërkufitare, diversifikimit të rrugëve të furnizimit dhe investimeve në infrastrukturën energjetike. BE-ja do të vazhdojë të kontribuojë në tranzicionin energjetik dhe në infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor. Partnerët e Ballkanit Perëndimor ndodhen në qendër të korridorit të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor, përfshirë Korridorin VIII me rëndësi strategjike, i cili lidh Detin Adriatik me Detin e Zi. Ne inkurajojmë partnerët e Ballkanit Perëndimor të bëjnë përparim vendimtar drejt përfundimit të tij, në përputhje me Planin e Punës të shtatorit 2026, duke shfrytëzuar në kohë mbështetjen e BE-së.
17. Në mënyrë të ngjashme, bashkëpunimi efektiv në fushën e menaxhimit të migracionit mbetet thelbësor, përfshirë mbështetjen e BE-së për menaxhimin e sfidave të migracionit përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor. Nevojiten veprime të mëtejshme nga partnerët e Ballkanit Perëndimor për të harmonizuar plotësisht politikën e tyre të vizave me atë të BE-së, për të parandaluar dhe luftuar kontrabandimin e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore, për të forcuar më tej menaxhimin e kufijve, për të përmirësuar sistemet e azilit dhe të pritjes, si dhe për të shtuar kthimet në vendet e origjinës. BE-ja do të vazhdojë të mbështesë partnerët e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet e tyre për forcimin e bashkëpunimit operacional me agjencitë përkatëse të BE-së, ndër të tjera me Frontex-in dhe Agjencinë e BE-së për Azilin, si dhe me vendet e treta, në përputhje me të drejtën e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare.
18. Përpjekjet e përbashkëta duhet të vazhdojnë gjithashtu për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, trafikimit të drogës dhe të gjitha formave të krimit të rëndë dhe të organizuar, si dhe për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, në përputhje me Planin e ri të Përbashkët të Veprimit. BE-ja dhe Ballkani Perëndimor duhet të vazhdojnë të çojnë përpara punën e bazuar në një qasje të ekuilibruar, gjithëpërfshirëse dhe të mbështetur në prova ndaj sfidave që lidhen me drogën, si dhe të forcojnë bashkëpunimin dhe partneritetet ndërkombëtare. Kjo përfshin edhe bashkërendimin me punën e Koalicionit Evropian Kundër Drogës (ECAD), veçanërisht për luftimin e trafikimit të drogës dhe tregtisë së paligjshme të prekursorëve kimikë.
19. Komunikimi strategjik efektiv nga BE-ja dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë komunikimin mbi përfitimet e zgjerimit dhe të integrimit gradual, mbetet thelbësor. Ne mbështetemi te partnerët e Ballkanit Perëndimor që t’u komunikojnë qytetarëve të tyre se BE-ja mbetet investitori dhe partneri kryesor tregtar i rajonit, si dhe ofruesi më i madh i ndihmës financiare dhe një partner i besueshëm në fushën e sigurisë. Për më tepër, BE-ja kontribuon në stabilitetin dhe sigurinë në mbarë Evropën.
20. Ne mirëpresim bashkimin e partnerëve tanë të Ballkanit Perëndimor me këtë Deklaratë.”
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






