Transmetuar më 25-11-2026, 23:20

Tiranë – Shqipëria renditet e para në Ballkanin Perëndimor për jetëgjatësinë mesatare, duke arritur shifrën prej 80.1 vjetësh për vitin 2026. Sipas statistikave të publikuara nga Kombet e Bashkuara, vendi pozicionohet në vendin e 61-të mes 237 vendeve në shkallë globale dhe lë pas të gjithë fqinjët e rajonit.

Duke analizuar faktorët që kanë çuar në këtë tregues demografik, sociologu Zyhdi Dervishi vë në dukje përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe specifikat natyrore të vendit:

“Ka shumë faktorë, së pari se shqiptarët kanë rritur cilësinë e jetesës dhe gjithashtu kanë kujdes për arsimimin. Por edhe klima, ushqimi, relievi divers ndikojnë”.

Krahasimi historik i të dhënave me vitin 1950 dëshmon një kapërcim të ndjeshëm, me një rritje të jetëgjatësisë mesatare në Shqipëri prej 35 vjetësh. Përveç stilit të jetesës dhe ushqimit, sociologët e lidhin këtë ecuri edhe me faktorin intelektual dhe aktivitetin mendor, të cilin Dervishi e argumenton me rezultatet e hulumtimeve të tij:

“Është e vërtetuar shkencërisht që intelektualët, profesorët, nobelistët kanë jetëgjatësi më të lartë se populli në përgjithësi. Unë kam bërë një studim me akademikët burra dhe më ka rezultuar që mesatarisht jetojnë 7 vite më shumë se burrat normalë për shkak të zhvillimit të trurit”.

Në rrafshin botëror, klasifikimi i Kombeve të Bashkuara kryesohet nga Monako me një jetëgjatësi mesatare prej 86.7 vjetësh, e ndjekur nga vendet aziatike me standarde të larta shëndetësore dhe ushqimore, si Japonia dhe Koreja e Jugut.

Popujt më jetëgjatë në Ballkanin Perëndimor:

Shqipëria 80.1 vjet

Kosova 78.6 vjet

Maqedonia e Veriut 77.8 vjet

Mali i Zi 77.6 vjet

Serbia 77.3 vjet

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit