Transmetuar më 25-11-2026, 22:02

Korçë – Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes ku mbeti i plagosur me mjet prerës 30-vjeçari Anxhelo Brisku, duke zbuluar se konflikti kishte ndodhur në rrethana krejtësisht të ndryshme nga versioni i paraqitur fillimisht prej tij. Gjatë pasdites, shërbimet policore kanë shoqëruar në komisariat autorin e dyshuar të plagosjes, një shtetas 35-vjeçar me inicialet I.M., për të sqaruar dinamikën e përplasjes.

Sipas të dhënave të mbledhura nga grupi hetimor, incidenti ka ndodhur brenda ambienteve të një lokali në fshatin Zvezdë të bashkisë Maliq, ku 30-vjeçari Anxhelo Brisku dyshohet se ka hyrë duke u prezantuar si punonjës policie dhe më pas ka sulmuar me sende të forta 35-vjeçarin. Gjatë përleshjes fizike, ky i fundit ka reaguar duke e goditur Briskun me një mjet të mprehtë, çka i ka shkaktuar plagosjen.

Paralelisht me procedimet ndaj autorit të plagosjes, uniformat blu kanë shpallur në kërkim edhe vetë 30-vjeçarin Brisku, pasi ka dhënë deklarime të rreme përpara oficerëve të policisë gjyqësore. Ai kishte sajuar si vendin ashtu edhe rrethanat e sulmit, duke pretenduar fillimisht se ishte duke ecur në rrugë në fshatin Neviçisht në momentin kur ishte sulmuar nga disa persona të panjohur. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit