Transmetuar më 25-11-2026, 21:56

Bolonja – Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin e Bolonjës në Itali, ku një studente 18-vjeçare është gjetur pa shenja jete brenda apartamentit që ndante me një bashkëmoshatare. E reja, e identifikuar si Elisa Turrini, me origjinë nga Riva del Garda në rajonin e Trentinos, dyshohet se ka ndërruar jetë në gjumë si pasojë e një komplikacioni të papritur shëndetësor. Ajo ishte transferuar prej pak kohësh në Bolonja për të ndjekur studimet e larta në Fakultetin e Farmacisë pranë Universitetit Alma Mater Studiorum dhe më 24 dhjetor do të festonte 19-vjetorin e lindjes.

Tragjedia u zbulua gjatë natës mes të hënës, 23 nëntor, dhe të martës, 24 nëntor, nga shoqja e saj e dhomës, e cila njoftoi menjëherë shërbimet e urgjencës. Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të ekipeve mjekësore në banesë, mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta rikthyer në jetë të renë. Sipas të dhënave paraprake të mbledhura nga hetuesit, mbrëmjen përpara se të ndahej nga jeta, 18-vjeçarja u kishte treguar disa shoqeve se kishte ndier dhimbje të forta në bark, çka e kishte shtyrë të shtrihej për të fjetur më herët se zakonisht.

Ndonëse dyshimet e para lidhen me një shqetësim të papritur shëndetësor gjatë natës, shkaku i saktë i vdekjes mbetet ende i papërcaktuar. Prokuroria italiane ka urdhëruar kryerjen e ekzaminimit mjeko-ligjor, dhe autopsia pritet të zhvillohet deri të enjten, më 26 nëntor. Nga verifikimet e deritanishme nuk rezulton që studentja t’u jetë drejtuar më parë strukturave spitalore apo mjekëve për të hetuar shkakun e këtyre shqetësimeve.

Ndarja e parakohshme nga jeta e Elisa Turrinit ka shkaktuar dhimbje dhe tronditje të thellë edhe në vendlindjen e saj, ku vetëm pak muaj më parë ajo kishte përfunduar me sukses studimet e mesme në gjimnazin Maffei në Riva del Garda. Në shenjë nderimi dhe zie, nxënësit dhe stafi pedagogjik i gjimnazit mbajtën 1 minutë heshtje përpara nisjes së procesit mësimor, ndërkohë që familja dhe autoritetet presin përgjigjet e autopsisë për të hedhur dritë mbi arsyet e kësaj humbjeje të papritur.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit