

Prishtinë – Është zbardhur dëshmia e 22-vjeçarit Endrit Azemi, i cili u vu në pranga nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët e Kosovës dhe diasporën duke pretenduar se vuante nga leuçemia akute dhe duke grumbulluar përmes donacioneve afro 190 mijë euro. Gjatë marrjes në pyetje para Prokurorisë, i riu ka pranuar se gëzon shëndet të plotë dhe se nuk është diagnostikuar asnjëherë me leuçemi, por ka deklaruar se ishte detyruar dhe kërcënuar nga 23-vjeçari Jon Sadiku për të inskenuar skemën e mashtrimit.
Sipas pretendimeve të Azemit para organeve të drejtësisë, Sadiku kishte ideuar dhe organizuar të gjithë planin, kishte falsifikuar dokumentacionin mjekësor të spitalit Acibadem në Turqi dhe i kishte premtuar 10 mijë euro nga shuma e mbledhur. Ndërkohë, 23-vjeçari Jon Sadiku ka reaguar publikisht duke i hedhur poshtë kategorikisht këto akuza, me arsyetimin se e kishte ndihmuar Endritin vetëm sepse kishte besuar se ai ishte realisht i sëmurë, duke mohuar çdo përfshirje në kërcënime, falsifikim dokumentesh apo përfitim financiar nga ky rast.
Nga ana tjetër, familjarët e 22-vjeçarit kanë deklaruar se nuk kishin pasur asnjë dijeni për mashtrimin e kurdisur. Motra e tij, pjesëtare e Forcës së Sigurisë së Kosovës, e cila kishte dalë publikisht me apele për ndihmë financiare, është shprehur 2 ditë para arrestimit se rënia e flokëve dhe e vetullave të të vëllait ishte shkaktuar nga mungesa e vitaminave.
Nga fushata e bamirësisë u arrit të grumbulloheshin në total 189,206.08 euro, ndërsa sipas verifikimeve të deritanishme as Endriti dhe as familjarët e tij nuk kanë prekur apo shpenzuar para nga kjo shumë. Të gjitha llogaritë bankare të të dyshuarve janë bllokuar nga autoritetet, ndërkohë që fondet e mbledhura përmes platformës GoFundMe u janë rikthyer donatorëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






