Transmetuar më 25-11-2026, 21:20

Tiranë – Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, do të zhvillojë të enjten, më 26 nëntor, një vizitë zyrtare në Tiranë, ku në fokus do të jenë procesi i negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe bashkëpunimi ekonomik rajonal. Gjatë qëndrimit në kryeqytet, zyrtarja e lartë evropiane do të zhvillojë një sërë takimesh me përfaqësues të institucioneve shqiptare për të ndjekur nga afër ecurinë e reformave dhe angazhimet e vendit në rrugën drejt integrimit.

Sipas agjendës zyrtare, Marta Kos do të pritet në takim nga Kryeministri Edi Rama, ndërsa do të marrë pjesë edhe në Kuvendin e Shqipërisë në një takim kushtuar zhvillimeve dhe ritmit të negociatave të anëtarësimit. Programi i saj parashikon gjithashtu një takim me Këshillin Kombëtar për Integrimin Evropian, ku pritet të diskutohen sfidat dhe hapat e radhës të procesit evropian të vendit.

Përveç angazhimeve me institucionet shtetërore, Komisionerja për Zgjerimin do të marrë pjesë në Konferencën e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, një aktivitet që synon të nxisë investimet dhe bashkëpunimin në rajon. Gjithashtu, ajo pritet të mbajë një fjalim në Forumin e Liderëve të Planit të Rritjes dhe Investimeve Rajonale, duke vënë theksin te instrumentet financiare dhe reformat që mbështesin zhvillimin e rajonit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit