Transmetuar më 25-11-2026, 20:47

Bruksel – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar përparimin e Shqipërisë në rrugëtimin drejt Bashkimit Evropian, duke e cilësuar ritmin e avancimit të vendit si mbresëlënës. Në një prononcim nga Brukseli, ajo nënvizoi se zgjerimi përbën një domosdoshmëri strategjike për Evropën dhe se vendet kandidate duhet të shfrytëzojnë momentin aktual për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit.

Duke u ndalur te dinamika e negociatave dhe nevoja për forcimin e unitetit evropian përballë sfidave globale, Von der Leyen u shpreh:

“Zgjerimi është një domosdoshmëri strategjike për Europën dhe sot kemi një momentum të vërtetë. Nëse shohim të gjitha negociatat që kemi në zhvillim, jemi në rrugën e duhur për të hapur dhe mbyllur mbi 100 kapituj këtë vit, dhe ky është një përparim i jashtëzakonshëm. Ky proces vjen në një moment vendimtar. Bota përreth nesh, siç thatë edhe ju, po ndryshon me shpejtësi. Sa më e fortë dhe më e bashkuar të jetë Europa, aq më mirë do të jemi në gjendje të përballojmë sfidat. Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment dhe ta kthejmë në përparim drejt anëtarësimit. Dhe kjo kërkon angazhim nga të dyja palët. Po shohim përparim inkurajues”.

Presidentja e Komisionit Evropian veçoi Shqipërinë dhe Malin e Zi si vende që po shënojnë ecuri të dukshme drejt integrimit, duke vënë në dukje rëndësinë e angazhimit të përbashkët dhe të udhërrëfyesve të prezantuar në nisje të muajit për të përcaktuar prioritetet dhe etapat e ardhshme.

“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria vijon të ecë drejt këtij objektivi me një ritëm mbresëlënës. Në fillim të këtij muaji prezantuam udhërrëfyesit për të dyja vendet. Këta udhërrëfyes përcaktojnë qartë prioritetet dhe etapat kryesore për punën që na pret, dhe dëshirojmë që edhe vendet e tjera të ndjekin këtë shembull”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit