Transmetuar më 25-11-2026, 20:45

Bruksel – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian synon të afrojë më tej vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët evropian, edhe përpara anëtarësimit të tyre zyrtar. Gjatë fjalës së saj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, ajo veçoi përfitimet konkrete të integrimit gradual, duke njoftuar se reformat e ndërmarra mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme.

Duke u ndalur te përgatitjet e brendshme të unioni dhe përshpejtimi i afrimit ekonomik me rajonin, Von der Leyen u shpreh:

“Në të njëjtën kohë, po përgatisim edhe vetë Bashkimin tonë. Kemi shqyrtuar se çfarë nënkupton zgjerimi për institucionet, politikat dhe buxhetin tonë, sepse zgjerimi duhet të jetë një sukses si për shtetet aktuale anëtare, ashtu edhe për ato që do t’i bashkohen Bashkimit. Por mendoj gjithashtu se nuk duhet të presim anëtarësimin për t’i afruar më shumë qytetarët dhe ekonomitë tona. Pikërisht për këtë bëhet fjalë me integrimin gradual dhe Planin tonë të Rritjes. Ne dëshirojmë t’u ofrojmë vendeve të Ballkanit Perëndimor akses në më shumë përfitime të tregut tonë të vetëm përpara anëtarësimit. Për këtë arsye, po hapim sektorë të caktuar, ndërkohë që vendet e Ballkanit Perëndimor ndërmarrin reformat përkatëse”.

Ajo vuri në dukje gjithashtu përparimin në integrimin në sistemin evropian të pagesave SEPA dhe negociatat për zgjerimin e nismës Roaming si në shtëpi, duke nënvizuar se qytetarët duhet të ndiejnë përfitime të prekshme nga procesi evropian edhe përpara anëtarësimit.

“Për të garantuar kushte të barabarta konkurrimi, ky proces reformash shoqërohet me financim nga Bashkimi Evropian. Dhe tashmë po shohim rezultatet. Katër partnerë të Ballkanit Perëndimor janë bërë pjesë e SEPA-s. SEPA, Zona e Vetme e Pagesave në Euro, mundëson transferimin e parave më shpejt dhe me kosto më të ulët. Po ashtu, po shënojmë përparim edhe në nismën ‘Roaming si në shtëpi’.

Muajin e kaluar nisën negociatat për këtë çështje me Shqipërinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Kosovën. Këto janë përfitime konkrete për qytetarët, edhe përpara anëtarësimit. Dhe ne dëshirojmë të shkojmë edhe më tej. Në fillim të vitit të ardhshëm do të nisim dialogët për integrimin gradual me secilin prej partnerëve, në mënyrë të përshtatur për secilin. Dhe këto janë reforma që sjellin ndryshime konkrete. Ato mund të zhbllokojnë edhe 338 milionë euro të tjera për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut gjatë javëve të ardhshme. Por ekziston edhe një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij rrugëtimi. Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet gjithashtu të afrohen më shumë me njëri-tjetrin. Edhe në këtë drejtim po shohim përparim. Tregtia brenda rajonit është rritur ndjeshëm, kualifikimet po njihen gjithnjë e më shumë përtej kufijve, ndërsa roaming-u rajonal ua bën më të lehtë njerëzve të qëndrojnë të lidhur me njëri-tjetrin dhe korsitë e gjelbra po e bëjnë tregtinë më të shpejtë. E gjithë kjo tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal. Në fund të fundit, suksesi i zgjerimit do të matet përmes ndryshimeve. Ky është rezultati që duhet të sjellë projekti ynë evropian. Kemi një mundësi historike për ta bërë këtë realitet. Bashkimi Evropian është i gatshëm të bëjë pjesën e tij dhe jam e bindur se së bashku mund ta kthejmë momentumin e sotëm në përparim të qëndrueshëm. Ju faleminderit shumë”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit