Transmetuar më 25-11-2026, 18:52

Roskovec – Elojna Shpataraku, ish-bashkëshortja e 52-vjeçarit Bledar Bakaj, ka rrëfyer në një prononcim publik kalvarin e gjatë të dhunës fizike, psikologjike dhe seksuale që pretendon se ka përjetuar gjatë martesës me të. 39-vjeçarja bëri të ditur se ishte njohur me Bakajn me mblesëri përmes vajzës së hallës së saj dhe se pas vetëm 6 muajsh bashkëjetese, kur ajo ishte shtatzënë, kishin nisur edhe episodet e para të agresionit brenda familjes, të nxitura nga vështirësitë ekonomike.

“Me Bledar Bakajn jam njohur përmes vajzës së hallës sime. Jam lidhur me mblesëri, jemi martuar. Kemi jetuar pak kohë, mos gaboj pas 6 muajsh, kam qenë dhe shtatzënë kur kanë filluar episodet e dhunës. As nuk punonte e asgjë dhe shkak i dhunës ishte kjo. Kishte dhe nënën 75 vjeçe. Për shkak të ekonomisë vinin debatet. Më ka dhunuar kur ka patur një debat me nënën për lekë. Nënën e tij e ka ngrënë në dhëmbë në faqe, pastaj unë isha në këmbë se më vinte keq. Edhe asaj i vinte keq për mua dhe më mbronte. Hyra në kuzhinë dhe më dhunoi. Më gjuajti me shqelma, me grushte në fytyrë”.

Sipas rrëfimit të 39-vjeçares, dhuna ishte përshkallëzuar deri në përdorimin e mjeteve të rënda, duke i rrezikuar jetën, ndaj në 1 rast ajo kishte vendosur t’u drejtohej forcave të rendit në Roskovec pas një sulmi brutal me bisht sëpate, duke përshkruar momentin e shpëtimit me ndihmën e kunatit dhe përballjen e mëvonshme në komisariat.

“E kam denoncuar vetëm 1 herë. Bisedoi me të vëllain për punë fshati. Do ndihmonin njëri-tjetrin për të shkundur ullinjtë, ai i thoshte jo. E pastaj më thoshte mua të dëboja vëllain e tij nga shtëpia, kush isha unë të dëboja vëllain e tij nga shtëpia. Po të ishte i zoti ta largonte ai të vëllain nga shtëpia, jo unë. Kur shkuan për të shkundur ullinjtë, ai më mbërtheu mua në shtëpi, me shqelma, me sëpatë, ku të kapte sëpata, në shpatull, në kurriz, në këmbë. Kam shpëtuar, kam dalë jashtë. Kur dola në mes të ullinjve të mëdhenj kam thirrur vetëm 1 herë vëllain e tij, Kujtimin. Ai më respektonte, më tha ça ke. I tregova. Më tha ‘fute brenda’. Mori telefonin e tij, se mua nuk më linte telefon. Mora babain dhe i thashë ‘nuk mundem dot më’ dhe ai më tha që t’a denoncoja. Mora 139, kanë ardhur dhe e morën në Roskovec. Më ka rrahur pa shkak, nuk e di as vetë se pse më dhunoi. Aty pastaj erdhën edhe njerëzit e mi. Nuk e di ça folën. Isha shumë e ngarkuar psikologjikisht. Janë mbledhur të gjithë bashkë pastaj, pinë kafe me zotërinë, e gjithë policia”.

Elojna Shpataraku denoncoi gjithashtu se, në vend të mbrojtjes ligjore, kishte marrë këshilla për pajtim nga uniformat blu, çka e kishte detyruar të kthehej në banesë, ku dhuna dhe abuzimi seksual ndodhnin edhe në sy të djalit të tyre të mitur, duke vijuar rrëfimin me detaje mbi mbylljen me forcë dhe kërcënimet me thikë.

“Më thanë që t’a falja për hatër të djalit, më tha policia e Roskovecit. Ai i bëri këto gjëra dhe mua më ngarkoi me faje. Por prapë e lashë situatën që edhe djali ti kuptonte gjërat më mirë. Djali ishte 9 vjeç. Ai ka qenë në çdo rast kur burri më ka dhunuar. Më ka dhunuar dhe abuzuar seksualisht në prani të djalit, i ka bërë të gjitha. Djali ishte i vogël dhe me mua do rrinte. Më ka ngelur 1 shenjë në këmbë që më ka gjuajtur me gurë. Vetëm 1 herë që jam larguar se më tha ‘o do të pres kokën, o do të nis pa rroba në trup te babai’. Më ka kaluar thika këtu vetëm se jam prapsur pak se donte të më ndrydhte dorën. Më kapi maja e thikës. Se di as vetë se si nuk më kapi thika. Hundën ma ka thyer më përpara. Më ka kyçur në dhomën e gjumit 3 ditë. Se di në ça gjendje kam qenë, kur jam përmendur, e gjeta aty se ai rrinte aty se e dinte se do ikja. Kur po ikte të shkundte arra, mora djalin dhe ika te njerëzit e mi. I thashë babit që të mos më detyronte të kthehesha më tek ai. Hoqa bluzën dhe i tregova shenjat. I thashë se ti po fle rehat, por vajza jote jo”.

Bledar Bakaj, i cili është daja i deputetes së Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ndodhet aktualisht nën masën e sigurisë arrest me burg pasi akuzohet për plagosjen e rëndë me dashje të 67-vjeçarit Enver Grëmi, babait të ish-partneres së tij, ndërsa mbi të rëndojnë edhe akuzat e ngritura nga ish-partnerja për dhunë dhe përdhunim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit