Transmetuar më 25-11-2026, 18:21

Bruksel – Çështja e Belinda Ballukut dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë në qendër të pyetjeve të drejtuara kryeministrit Edi Rama në Bruksel, ku po zhvillohen punimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor. I pyetur nëse rasti i Ballukut përbën një test kritik për Shqipërinë në përballjen me korrupsionin dhe në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, kreu i qeverisë shmangu komentet konkrete mbi dosjen, duke e zhvendosur vëmendjen te funksionimi i drejtësisë dhe rezultatet e arritura nga vendi në këtë fushë.

Sipas Ramës, përpjekjet e Shqipërisë për të goditur korrupsionin janë të paprecedenta në rajon dhe përbëjnë arsyen kryesore përse vendi duhet të vlerësohet me hapa përpara në procesin e integrimit evropian. Duke u ndalur te ndryshimi i klimës së drejtësisë dhe zbatimi i ligjit, kryeministri deklaroi: “Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë serioz. Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria përshkruhej si një vend ku mbizotëronte pandëshkueshmëria dhe korrupsioni ishte sistem, sot sistemi po e lufton fuqishëm korrupsionin. Gjithçka duhet të ndjekë procesin e rregullt ligjor. Është shumë e qartë se askush nuk është mbi ligjin në Shqipëri dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet parë me sy pozitiv”.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit