Transmetuar më 25-11-2026, 17:49

Tiranë – Punonjësit në Shqipëri paguhen mesatarisht 4 herë më pak se kolegët e tyre në Bashkimin Evropian, ndërsa vendi vijon të renditet ndër më pak të paguarit edhe në Ballkanin Perëndimor, duke lënë pas vetëm Kosovën. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat-it, paga mesatare vjetore bruto e përshtatur për punësimin me kohë të plotë arriti në 41,464 euro në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2025, duke shënuar një rritje prej 4.3% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që në Shqipëri, sipas statistikave të INSTAT-it, paga mesatare mujore bruto ishte rreth 84 mijë lekë, ose rreth 860 euro, e barasvlershme me 10,320 euro në vit.

Ndonëse metodologjitë e matjes nuk janë plotësisht të harmonizuara, krahasimi orientues e vendos pagën mesatare shqiptare në rreth 25% të nivelit të Bashkimit Evropian, në një treg pune ku sipas Anketës së Kostos së Punës për vitin 2024, të publikuar nga INSTAT më 12 nëntor 2026, 99.5% e punëmarrësve ishin me kohë të plotë. Hendeku mbetet i thellë edhe përballë shteteve me pagat më të ulëta brenda unionit, pasi punonjësit shqiptarë paguhen rreth 36% më pak edhe se ata në Bullgari, ku të ardhurat mesatare vjetore bruto arritën në 16,201 euro në vitin 2025.

Diferencat janë po aq të ndjeshme edhe në raport me destinacionet kryesore të emigracionit shqiptar, ku paga mesatare vjetore bruto arriti në 34,213 euro në Itali, 18,772 euro në Greqi dhe 56,360 euro në Gjermani. E njëjta tablo e disfavorshme shfaqet edhe në shkallë rajonale, ku statistikat zyrtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor tregojnë se Serbia kryesoi rajonin në vitin 2025 me një pagë mesatare vjetore bruto prej rreth 15,480 eurosh, rreth 50% më e lartë se në Shqipëri.

Pas Serbisë renditen Bosnjë-Hercegovina me një pagë mesatare vjetore prej rreth 14,940 eurosh, Mali i Zi me 14,472 euro dhe Maqedonia e Veriut me 13,200 euro në vit, duke i paguar punonjësit rreth 28% më shumë se Shqipëria. Në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, vetëm Kosova regjistron nivele më të ulëta pagash, ku sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës paga mesatare mujore bruto arriti në 713 euro në vitin 2025, pas një rritjeje prej 11.6% krahasuar me vitin paraardhës, duke u përkthyer në 8,556 euro në vit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit