

ATHINË — Mijëra punonjës të sektorit publik dhe atij privat në Greqi zhvilluan këtë të mërkurë një grevë të përgjithshme mbarëkombëtare, duke kërkuar rritje pagash dhe përmirësim të shërbimeve publike, ndërsa lëvizja bllokoi transportin detar, ajror dhe urban në mbarë vendin.
Për shkak të bojkotit nga ekuipazhet e anijeve, punonjësit e transportit dhe të telekomunikacionit, tragetet drejt ishujve mbetën të ankoruara, linjat e metrosë në Athinë u ndërprenë në oraret e pikut, ndërsa u pezulluan edhe fluturimet në disa aeroporte rajonale.
Tubimi i thirrur nga konfederata e sindikatave të sektorit publik, ADEDY, vendosi në qendër të kërkesave rikthimin e shpërblimeve vjetore të shkurtuara gjatë krizës së borxhit, si dhe shtimin e fondeve buxhetore për sistemin shëndetësor dhe arsimin.
Sipas të dhënave të policisë greke, rreth 15 mijë qytetarë, mes të cilëve mësues, mjekë dhe studentë, marshuan paqësisht në rrugët e Athinës me pankarta ku shkruhej: “Mjaft kemi duruar! Kërkojmë rritje page!”, ndërsa protesta të ngjashme u mbajtën edhe në qytete të tjera të vendit.
Përfaqësuesit sindikalë theksuan se rritja e kostos së jetesës dhe qirave e ka bërë të papërballueshme situatën ekonomike për familjet greke. “Sot, punëtorët si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat janë në grevë sepse nuk mund ta tolerojnë më situatën: pagat e tyre janë të mjerueshme, punonjësit publikë nuk kanë marrë shpërblimet e pushimeve për 16 vjet dhe kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm”, deklaroi Dimitris Aktipis, zyrtar i sindikatës së mësuesve të shkollave të mesme shtetërore.
Ky është aksioni i tretë sindikal brenda pak javësh në Greqi dhe vjen në një klimë pakënaqësie të gjerë sociale në Evropë lidhur me standardet e jetesës dhe koston e strehimit, pavarësisht rikuperimit makroekonomik që vendi ka shënuar pas paketave të shpëtimit prej rreth 280 miliardë eurosh.
Nga ana tjetër, qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, e cila përballet me zgjedhjet parlamentare në pranverën e vitit 2027, ka miratuar këtë vit një paketë lehtësimesh fiskale dhe subvencionesh prej 2.2 miliardë eurosh për shtresat me të ardhura të ulëta dhe pensionistët. Po ashtu, ekzekutivi ka premtuar një shpërblim Krishtlindjesh prej 500 eurosh për rreth 700 mijë nëpunës civilë duke nisur nga dhjetori 2027 dhe rritjen e pagës mesatare mujore në 1,800 euro deri në vitin 2030, nga rreth 1,400 euro që është aktualisht.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar u diskutua edhe plani fiskal 2027-2030 me vlerë totale 11.45 miliardë euro, i cili synon uljen e borxhit publik nga 145.9 për qind në 110 për qind të PBB-së deri në fund të dekadës. Ndërkohë, sondazhet e fundit e rendisin partinë në pushtet “Demokracia e Re” në krye me 30 për qind të mbështetjes, e ndjekur nga partia “ELAS” e ish-kryeministrit Alexis Tsipras.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






