Transmetuar më 25-11-2026, 16:25

TIRANË — Procesi tradicional i numërimit të popullsisë derë më derë me tabletë në duar pritet të marrë fund në Shqipëri, pasi Censi i ardhshëm i Popullsisë dhe Banesave, i planifikuar për në vitin 2033, synohet të realizohet tërësisht online dhe përmes një sistemi të integruar të dhënash administrative, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Ky vizion u prezantua gjatë një tryeze të përbashkët mes përfaqësuesve të qeverisë shqiptare, INSTAT-it, Komisionit Europian dhe Institutit Europian të Statistikave (Eurostat), drejtoresha e të cilit, Mariana Kotzeva, zhvilloi vizitën e saj të parë zyrtare në Tiranë.

Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se modernizimi i këtij sistemi synon ndërtimin e politikave publike mbi të dhëna të sakta. “Përtej statistikave, sot me Eurostat, INSTAT, Komisionin Europian dhe përfaqësues të institucioneve shqiptare ndamë vizionin për një Shqipëri që njeh me saktësi ritmin e ndryshimeve të saj dhe ndërton mbi të dhëna të besueshme politika publike që u përgjigjen më mirë nevojave dhe zhvillimeve të shoqërisë”, deklaroi Koçiu.

Nga ana e saj, drejtoresha e Eurostat, Mariana Kotzeva, vlerësoi hapat e deritanishëm të Shqipërisë dhe konfirmoi mbështetjen teknike të institucionit europian për digjitalizimin e mëtejshëm të procesit. “Statistikat e besueshme janë një element thelbësor për çdo demokraci dhe për funksionimin e një ekonomie moderne. Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, por transformimi digjital dhe përdorimi më i gjerë i burimeve administrative mund të krijojnë mundësi të reja për prodhimin e të dhënave. Eurostat është i gatshëm të mbështesë INSTAT-in në këtë proces, përmes ekspertizës dhe shkëmbimit të praktikave më të mira europiane”, u shpreh ajo.

Vizita e zyrtarëve të lartë europianë zhvillohet në kuadër të negociatave për anëtarësimin në BE dhe ka në fokus harmonizimin e metodologjive statistikore dhe forcimin e sistemit kombëtar të të dhënave.

Drejtoresha e INSTAT, Lantona Sado, nënvizoi se sfida kryesore mbetet ndërlidhja e regjistrave shtetërorë duke garantuar sigurinë e informacionit. “Për ne, sfida kryesore është të ndërtojmë një sistem që garanton vazhdimësinë dhe cilësinë e informacionit statistikor. Kjo kërkon jo vetëm investime në teknologji, por edhe bashkëpunim më të ngushtë me institucionet që disponojnë të dhëna administrative. Po punojmë për të identifikuar këto burime, për të harmonizuar metodologjitë dhe për të krijuar kushtet që në të ardhmen të kemi procese më efikase të prodhimit të statistikave, duke ruajtur njëkohësisht konfidencialitetin e të dhënave individuale”, tha Sado.

Ky transformim pritet ta shndërrojë sistemin statistikor nga një instrument i thjeshtë regjistrimi në një mekanizëm të avancuar për analizimin e nevojave sociale dhe ekonomike të qytetarëve.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit