

BRUKSEL — Kryeministri Edi Rama po merr pjesë këtë të mërkurë në punimet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili mbahet në Bruksel nën drejtimin e Presidentit të Këshillit Europian, Antonio Costa.
Kjo tryezë e nivelit të lartë bashkon udhëheqësit e Bashkimit Europian me homologët e tyre nga vendet e Ballkanit Perëndimor, me fokus kryesor konsolidimin e partneritetit strategjik dhe dhënien e një shtyse të re procesit të zgjerimit dhe integrimit evropian të rajonit.
Gjatë diskutimeve synohet të rikonfirmohet mbështetja e unionit për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të rajonit, duke vlerësuar ecurinë e reformave kyçe dhe përmbushjen e detyrimeve të ndërmarra në rrugën drejt BE-së, krahas nevojës për fqinjësi të mirë dhe pajtim rajonal.
Një vend të posaçëm në axhendën e liderëve zë analiza e integrimit gradual ekonomik, veçanërisht zbatimi i Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe hapat e mëtejshëm për ta avancuar atë, si dhe bashkërendimi i mekanizmave të sigurisë përballë sfidave të përbashkëta në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më të ndërlikuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






