

Një kapitull i ri po hapet në historinë e telekomunikacionit në Shqipëri. One Albania ka marrë autorizimin nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) për të testuar teknologjinë Direct-to-Device (D2D), në bashkëpunim me SpaceX.
Lideri i telekomunikacionit është operatori i parë në Ballkanin Perëndimor që ka marrë dritën jeshile për testimin e kësaj forme të re komunikimi, që lidh drejtpërdrejt telefonin celular me satelitin.
Autorizimi për testimin është dhënë për një periudhë 120-ditore. Gjatë testimit, satelitët e SpaceX do të lidhen me rrjetin e One Albania duke përdorur frekuencat e autorizuara për kompaninë.
Teknologjia Direct-to-Device mundëson lidhjen direkte të telefonave celularë me satelitët Starlink. Kësisoj, krijohen mundësi të reja për komunikimin celular, veçanërisht në terrene ku sinjali i rrjetit është i dobët apo në zona turistike me reliev të thyer ku sinjali nuk mund të arrijë cilësinë maksimale.
Teknologjia satelitore nuk synon të zëvendësojë rrjetin ekzistues. Ajo e plotëson atë, duke e çuar komunikimin edhe përtej zonave të mbuluara nga antenat tokësore.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të ardhmen e komunikimit celular në Shqipëri. Përmes Direct-to-Device, synojmë ta çojmë komunikimin edhe në zona ku sot rrjeti tradicional e ka më të vështirë të arrijë, nga zonat malore te destinacionet e largëta turistike. Të qenit operatori i parë në Ballkanin Perëndimor që ndërmerr këtë hap është një përgjegjësi, por edhe një mundësi për të sjellë më shpejt teknologjitë e së ardhmes te klientët tanë,” tha Barna Kutvölgyi, CEO i One Albania.
Autorizimi i dhënë në Shqipëri vjen pas një zhvillimi të rëndësishëm në nivel europian. Në shtator, 4iG Group, kompania mëmë e One Albania, dhe SpaceX nënshkruan marrëveshjen e parë për lançimin e Starlink Mobile dhe Sovereign Solutions.
Partneriteti ndërthur rrjetet celulare tokësore me teknologjinë satelitore, duke krijuar mundësi të reja në pikëtakimin mes industrisë së telekomunikacionit dhe asaj hapësinore.
Për One Albania, ky autorizim përfaqëson një tjetër hap konkret drejt së ardhmes së komunikimeve celulare në Shqipëri, ku rrjetet tokësore dhe ato satelitore mund të funksionojnë së bashku për të ofruar një lidhje më të qëndrueshme dhe për ta shtrirë komunikimin përtej kufijve të infrastrukturës tradicionale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






