

Dyseldorf – Në prag të sfidës më vendimtare të karrierës së tij, boksieri shkodran Nelson Hysa ka marrë një mesazh mbështetjeje dhe inkurajimi nga ikona e boksit shqiptar, Luan Krasniqi, përpara përballjes së 28 nëntorit ndaj Agit Kabayel për titullin botëror WBC në peshën e rëndë. Ish-kampioni i Evropës, i cili e ka përjetuar vetë peshën dhe presionin e një dueli botëror në kategorinë mbretërore, i kërkoi Hysës të shijojë këtë moment dhe të japë maksimumin në ring, duke deklaruar: “Nelson, shijoje këtë periudhë të veçantë të jetës dhe karrierës, sepse mundësia për t’u bërë kampion bote në peshën e rëndë është diçka krejt e veçantë. Një sukses i tillë do të ishte historik dhe kërkon shumë punë, sakrifica dhe përkushtim. Të uroj fat, forcë dhe sukses! Beso te vetja dhe jep gjithçka në ring”.
Fjalët e Krasniqit mbartin një peshë të veçantë simbolike, duke pasur parasysh rrugëtimin e tij në elitën e boksit ndërkombëtar. I lindur në Junik të Kosovës, ai fitoi medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të vitit 1995 dhe medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike të Atlantës në vitin 1996, përpara se të shpallej disa herë kampion i Evropës në boksin profesionist dhe të sfidonte amerikanin Lamon Brewster në vitin 2005 për titullin botëror WBO, duel të cilin e humbi në raundin e 9.
Tashmë vëmendja e sportdashësve shqiptarë zhvendoset në Dyseldorf të Gjermanisë, ku Nelson Hysa zbret në ring me një bilanc të pastër prej 25 fitoresh në 25 ndeshje profesioniste, prej të cilave 23 i ka mbyllur me nokaut, përfshirë fitoren e tij të fundit në muajin gusht ndaj norvegjezit Thomas Narmo që në raundin e 2. Përballë tij do të jetë kampioni në fuqi i versionit WBC, Agit Kabayel, i cili po ashtu nuk njeh humbje dhe regjistron 27 fitore në po aq ndeshje të zhvilluara, me 19 prej tyre të arritura me nokaut, në një përballje që mund të shënojë një faqe historike për boksin shqiptar.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






