Transmetuar më 25-11-2026, 13:40

Fier – Policia shqiptare u është drejtuar me kërkesë zyrtare autoriteteve të Kosovës dhe atyre të Suedisë në kuadër të hetimeve intensive për atentatin e dyfishtë në Fier, ku humbën jetën Selami Hasani dhe nipi i tij, Jakup Hasani. Grupi hetimor e ka përqendruar punën te gjurmimi i plotë i itinerarit të automjetit tip Volvo, të cilin autorët e përdorën për të realizuar ekzekutimin dhe më pas e dogjën në fshatin Dërmenas për të zhdukur gjurmët.

Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, makina rezulton e denoncuar e vjedhur në Suedi në vitin 2023 dhe dyshohet se është futur në territorin shqiptar nga Kosova, përmes pikës së kalimit kufitar të Morinës. Hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se në këtë hallkë të logjistikës kriminale mund të kenë bashkëpunuar edhe shtetas kosovarë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar në transportimin e mjetit drejt Shqipërisë. Për këtë arsye, nga pala kosovare janë kërkuar regjistrimet dhe të dhënat e sakta mbi hyrjen e automjetit në kufi, ndërsa nga autoritetet suedeze është kërkuar informacion i detajuar mbi rrethanat e vjedhjes, historikun e mjetit dhe personat e dyshuar të përfshirë.

Sigurimi i këtij informacioni vlerësohet kyç nga hetuesit për të rënë në gjurmët e organizatorëve, ekzekutorëve dhe bashkëpunëtorëve që mbështetën krimin. Automjeti Volvo u zbulua i shkrumbuar në Dërmenas të Fierit menjëherë pas ngjarjes dhe gjatë këqyrjes së tij policia gjeti brenda kabinës 4 armë zjarri, 3 prej të cilave ishin të pajisura me silenciator.

Paralelisht me gjurmimin ndërkombëtar të mjetit, pista kryesore e hetimit mbetet ajo e hakmarrjes. Selami Hasani, i njohur edhe si Sel Çami, kishte vetëm 20 ditë që kishte rifituar lirinë pasi kishte shlyer dënimin me 25 vite burgim për vrasjen e Julian Isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja, ndërsa grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe identifikimin e autorëve.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit