

Tiranë – Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur dënimin me 28 vite burgim për Erlis Dukën, duke rrëzuar vendimin e shkallës së parë që e kishte shpallur atë të pafajshëm në lidhje me vrasjen e ish-efektivit të policisë Santiago Malko në kryeqytet. Për pjesën tjetër të të pandehurve në këtë dosje, trupa gjykuese e Apelit la në fuqi masat e dënimit të shpallura më herët, duke konfirmuar përgjegjësinë penale të anëtarëve të grupit të njohur si klani Duka.
Sipas vendimit të shpallur, Leonard Duka mbetet i dënuar me 30 vite burgim, ndërsa për të pandehurit e tjerë Fatmir Hyseni, Aleksandër Maxhaku, Dritan Agaj dhe Oltjon Loga u rikonfirmuan dënimet me nga 25 vite burgim secili. Të gjithë të akuzuarit në këtë proces gjyqësor përballeshin me akuza të rënda për organizimin dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë në ekzekutimin e Santiago Malkos në Tiranë.
Paralelisht me këtë dosje, drejtësia ka dhënë vendime të formës së prerë edhe në procese të ndara gjyqësore për bashkëpunëtorë të tjerë të përfshirë në të njëjtën ngjarje kriminale, ku Blendi Teta është dënuar me 25 vite burgim dhe Ilir Selmani është dënuar me 28 vite heqje lirie.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






