

Tiranë – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur pretencën për 10 persona të akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që merrej me trafikimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë. Sipas dosjes hetimore, anëtarët e grupit kishin organizuar importimin nga Republika Domenikane të 2 ngarkesave të deklaruara në dokumente si lëkurë gjedhësh, brenda të cilave u zbuluan dhe u sekuestruan rreth 90 kilogramë lëndë narkotike kokainë, vlera e së cilës në treg përllogaritet në rreth 3.6 milionë euro.
Për të pandehurit e kësaj çështjeje, prokuroria kërkoi masa të ndryshme dënimi në varësi të rolit dhe shkallës së përgjegjësisë së secilit në veprimtarinë kriminale, të cilat ulen me 1/3 për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar. Konkretisht, dënimi më i lartë u kërkua për Artion Çaushllarin me 15 vite burgim, që me gjykim të shkurtuar reduktohet në 10 vite, ndërsa për Aldi Zonjën, Geis Sejfullain, Ismail Abdurahmanin, Jose Ramon Zakarias Vasquez dhe Samuel Alfonso Seranon u kërkuan nga 14 vite burgim secili, masë që zbret në 9 vite e 4 muaj burgim.
Në vijim të pretencës, për të pandehurit K. Birce dhe H. L. Narvaez organi i akuzës kërkoi nga 13 vite burgim, që me uljen ligjore shkon në 8 vite e 8 muaj, për Endi Sejdinin u kërkuan 12 vite burgim, të cilat reduktohen në 8 vite, ndërsa për Baki Huqin u kërkuan 10 vite burgim, që pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar zbret në 6 vite e 8 muaj heqje lirie.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






