

Tiranë – Pas vendimit për përjashtimin e saj nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, deputetja Elisa Spiropali e cilësoi procesin në një konferencë për mediat si një akt arbitrar dhe të palegjitimuar, duke vënë në dukje se nuk i është dhënë mundësia të jetë e pranishme dhe të flasë në mbledhje. E pyetur nëse synon të krijojë një forcë të re politike apo të vijojë angazhimin brenda Partisë Socialiste, ajo deklaroi: “Jam një socialiste e bindur, jam e majtë, qytetare e këtij vendi. Nuk di që në ndonjë detyrë timen të kem bërë ndonjëherë turp. Unë do ta bëj betejën time brenda PS-së, dhe për t’u rrëfyer janë ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, ata që kanë abuzuar me pushtetin, ata që sot, kanë frikë të mbajnë qëndrime”.
Duke folur për zhvillimet e mbledhjes ku u mor vendimi ndaj saj, Spiropali vuri në dukje mungesën e procedurës dhe të përballjes së drejtpërdrejtë, duke u shprehur: “Gjenerata Z nuk është armiku i pushtetit, i shërben themelit të tij. Nuk isha në atë mbledhje, nuk kishte rend dite të bëhej votim, aty u bë një legjitimim i Asamblesë Kombëtare”.
Ajo nënvizoi se reagimi ndaj zërit të saj tregon frikë nga përballja me argumente, duke shtuar: “Kolegët kërkuan që unë minimalisht të isha aty që të flisja. Nuk e kuptoj se kaq e madhe qenka frika nga fjala e një gruaje. Gruaja nuk është fasadë, por ka qëndrim. Unë nuk jam flamingo e parë, do ta kisha për nder, por flamingot janë pjesë e shoqërisë për t’u ngritur në një nivel tjetër”.
Në vijim të deklaratave të saj, deputetja ritheksoi se angazhimin politik e ka ndjerë gjithmonë si përballje edhe brenda radhëve të veta, duke thënë: “Unë e kam ngritur dorën grusht për të bërë beteja brenda mazhorancës. Kam mbajtur debate me Berishën në Kuvend. Nuk mund të ketë vendimmarrje të tilla legjitimiteti, ato shprehin arbitraritet”.
Në mbyllje të fjalës së saj, Spiropali foli për përgjegjësinë personale dhe raportin e pushtetit me qytetarët, duke deklaruar: “Unë kam vënë fytyrën, kam vënë jetën, kam vënë gjithçka dhe jam krenare, nuk pendohem. Mbaj përgjegjësi për aq sa më takon, kjo nuk diskutohet. Është momenti për të kuptuar që pushteti mbahet nga besimi dhe ata që të kanë dhënë votën mund të ta kthejnë, mund të dalin në bulevard”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






