

Tiranë – Deputetja Elisa Spiropali ka deklaruar se nuk ka asgjë për të fshehur dhe se nuk i trembet kallëzimeve në Prokurorinë e Posaçme, duke nënvizuar se beteja e saj politike nuk ka karakter personal, por lidhet me mënyrën se si përdoren institucionet. E pyetur lidhur me kallëzimet e mundshme në SPAK, ajo u shpreh se nuk e sheh këtë si problem pavarësisht numrit të tyre dhe kërkoi që çështja të mos ngatërrohet me debatin që ajo ka ngritur për funksionimin institucional.
Duke iu përgjigjur pyetjeve mbi presionin dhe akuzat e mundshme, Spiropali deklaroi: “Le të bëjnë 150 kallëzime, sa të duan. Dhe mos e përfshini SPAK-un në këtë diskutim. Kallëzimi është një gjë, mund të bëjnë sa të duan kallëzime, sepse unë nuk kam asgjë për të fshehur fare. Janë aty përballë dhe këtë betejë e kam bërë sepse nuk jam e shantazhueshme. Nuk më bëjnë dot mua asnjë shantazh”.
Ish-kryetarja e Kuvendit theksoi se shqetësimi i saj nuk lidhet me çështje personale apo procedime konkrete gjyqësore, por me atë që e cilësoi si përdorim të institucioneve për të ushtruar presion ndaj zërave kritikë, duke u shprehur: “Ka gjykata, ka prokurori ku çohen çështjet dhe zgjidhen, edhe për çështje administrative, edhe për çështje biznesi. Nuk ka problem, sigurisht që ka institucione. Unë kam folur vetëm për përdorimin e institucioneve në funksion të shtypjes së çdo lloj zëri dhe çdo lloj qëndrese”.
Ajo nënvizoi më tej se pikërisht ky ka qenë motivi i qëndrimeve të saj publike, duke kundërshtuar atë që e përshkroi si shndërrim të institucioneve në instrument presioni politik.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






