

Tiranë – Deputetja Elisa Spiropali doli në një konferencë për mediat 1 ditë pasi u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke deklaruar se e konsideron si një dekoratë faktin që është gruaja e parë në 35 vite që largohet në këtë mënyrë nga radhët e socialistëve dhe njëkohësisht kryetarja më e re e zgjedhur e Kuvendit të Shqipërisë.
E pyetur për këtë largim, ajo u shpreh: “Jam e para grua në 35 vite që përjashtohem, po e marr si dekoratë këtë, meqë kam qenë dhe kryetarja më e re e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë, dhe në këto 2 skaje, mendoj se nuk duhet të çuditemi fare. Nuk ka asgjë për t’u habitur për sa kohë ata që duhet të ikin rrinë, dhe ata që duhet të rrinë ikin. Mendoj se do kemi shumë për të parë ende. Këtë qëndrim e kam mbajtur edhe pak para protestave të flamengove”.
Duke folur gjerësisht për udhëkryqin në të cilin ndodhet Shqipëria, Spiropali vuri në dukje nevojën për t’u ngritur përtej sistemit aktual dhe për t’iu përgjigjur kërkesave për më shumë demokraci në parti, në Kuvend dhe në institucione, duke shtuar:
“Unë mendoj se do kemi dhe do shohim edhe shumë të tjera të tilla, sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë delikate të zhvillimit të saj dhe jo sot, po unë këtë qëndrim e kam mbajtur edhe pak para protestave të "Flamingove", në një qëndrim të qartë për udhëkryqin ku gjendej Shqipëria në raport me historinë, në raport me veten, në raport me kohën, në raport me nevojën për t’u ngritur përtej këtij sistemi aktual dhe për t’u përgjigjur kërkesave të kohës, për t’u përgjigjur të rinjve, për t’u përgjigjur dëshirës për më shumë demokraci, jo vetëm brenda partive tona politike, po në Kuvend, në institucione, në mënyrën si vepron pushteti dhe vendimmarrja”.
Ajo kritikoi ashpër sistemin elektoral dhe qarkullimin e elitave, duke u shprehur: “Dhe kam folur për nevojën për reformim të sistemit tonë elektoral, i cili ka prodhuar, tashmë është e qartë për të gjithë, një moçal politik, një stagnacion të plotë të qarkullimit të elitave, të përfaqësimit politik në Kuvendin e Shqipërisë. Këtu nuk pulson më nevoja e shoqërisë për më shumë përfaqësim, por siç e keni parë edhe në shfaqjet më flagrante të kohëve të fundit, ne kemi lëvizur në një drejtim tjetër”.
Në vijim, deputetja shpjegoi motivet e qëndrimeve të saj të fundit duke deklaruar: “Dhe në momentin që unë kam mbajtur qëndrime publike për nevojën për t’i vënë fre pushtetit në funksion të forcimit të shtetit dhe të institucioneve, për të kufizuar pushtetin në funksion të një Shqipërie që është e të gjithëve dhe jo vetëm e atyre që kanë pushtetin politik, qofshin këta dhe ne, në momentin që kam mbajtur qëndrime të cilat nuk udhëhiqeshin asfare, as nga një nevojë personale, se unë po të qe për konjukturë e po të qe për komoditet, di dhe atë ta bëj shumë mirë brenda forcës sonë politike, na ka mësuar koha, na ka mësuar vitet, na ka mësuar përgjegjësitë që ne kemi në raport me forcën politike dhe me pushtetin, por ishte koha për ta kuptuar që gjërat kanë ndryshuar thelbësisht”.
Spiropali pranoi gjithashtu pjesën e saj të përgjegjësisë në zhvillimet politike, duke përfunduar:
“Dhe në atë kohë u ngritën shumë vetulla e shumë njerëz më panë me habi, sepse nuk kuptonin se nga buronte kjo. A ishin informacione që unë kisha për destabilizim? A ishin marrëdhënie të tjera si ish-ministre e jashtme që më kishin çuar mua drejt analizës që në Shqipëri pushteti politik, mënyra e funksionimit të tij dhe parlamenti dhe institucionet dhe pavarësia e institucioneve dhe kontrolli, por dhe përfaqësimi i njerëzve apo përjashtimi i tyre. Dhe kur në shumicën e kohës, analizave, të qasjes, kupton që përjashtimi është më i madh se përfshirja, atëherë unë e mbaj si dekoratë. E mbaj si dekoratë që jam nga të përjashtuarit e sistemit. Jo se nuk kam unë përgjegjësitë e mia, po pa diskutim që kam edhe unë përgjegjësitë e mia në konsolidimin e karakterit të pushtetit të personalizuar ekstremisht dhe të partisë së 1 njeriu dhe të qeverisë së 1 njeriu dhe të pushtetit të 1 njeriu, dhe kjo është përtej emrit të Edi Ramës dhe raportit personal, po është në themel të problematikës që nxori në rrugë ata që u quajtën "Flamingo". Ishte ajo nevojë e brendshme për të thënë që liria dhe dinjiteti njerëzor dhe guximi qytetar janë më të fortë se çdo triumfalizëm”.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






