Transmetuar më 25-11-2026, 11:07

Norfolk – Dy personat e arrestuar pas tentativës për grabitjen e banesës së Princit William dhe Princeshës Kate në pronën mbretërore në Sandringham, në Norfolk, janë identifikuar si shqiptarët Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci. Sipas raportimeve të mediave britanike, mes tyre ndodhet 1 emigrant i paligjshëm që kishte paraqitur më herët kërkesë për azil në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa statusi i qëndrimit të të dyshuarit tjetër mbetet ende i paqartë dhe po i nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme.

Mediat britanike bëjnë të ditur se 2 të dyshuarit nuk e dinin se banesa ku tentuan të hynin i përkiste çiftit mbretëror, Princit dhe Princeshës së Uellsit. Alarmi i sigurisë u aktivizua pak para orës 18:00 të së hënës, në një moment kur William, Kate dhe 3 fëmijët e tyre nuk ndodheshin në pronë, ndërsa Mbreti Charles qëndronte në Sandringham House, rreth 5 kilometra larg, dhe Andrew Mountbatten-Windsor ndodhej në banesën e tij, Marsh Farm, brenda pronës prej 20 mijë hektarësh.

Dyshohet se personat e maskuar aktivizuan sistemet e sigurisë, të cilat përfshijnë kamera vëzhgimi, teknologji lazer dhe sensorë të vendosur në tokë, përpara se të largoheshin me shpejtësi. Policia britanike nisi një operacion të gjerë kërkimi me qen gjurmues, dronë dhe 1 helikopter të Shërbimit Kombëtar Ajror të Policisë, i pajisur me teknologji infra të kuqe, i cili qëndroi për rreth 2 orë mbi zonë. Pas kontrolleve intensive, ku u përdorën edhe detektorë metalesh dhe u kreh zona përreth, 2 të dyshuarit u kapën brenda territorit të pronës mbretërore.

Deri më tani, autoritetet dhe Pallati Kensington nuk kanë dhënë informacion nëse nga banesa është marrë ndonjë send, ndërsa William dhe Kate u informuan për ngjarjen të hënën në mbrëmje dhe, sipas raportimeve, ishin jashtëzakonisht të shqetësuar. Anëtarët e familjes mbretërore mbrohen 24 orë në ditë nga oficerë personalë sigurie dhe pas këtij rasti Komiteti Mbretëror dhe i Sigurisë për Personat VIP pritet të vlerësojë nëse nevojiten masa shtesë mbrojtjeje.

Prona Anmer Hall iu dhurua William dhe Kate nga Mbretëresha e ndjerë Elizabeth II me rastin e martesës së tyre, dhe megjithëse rezidenca e tyre kryesore ndodhet tashmë në Windsor, vila në Norfolk vijon të shërbejë si vendstrehim familjar për pushimet verore dhe pushimet shkollore, ashtu siç ka shërbyer edhe gjatë pandemisë së Covid-19 dhe gjatë një pjese të periudhës së rikuperimit të Kate nga sëmundja.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit