Transmetuar më 25-11-2026, 10:44

Norfolk – Dy persona me origjinë shqiptare kanë përfunduar në pranga në Angli, pasi dyshohet se kanë hyrë pa autorizim në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk. Ngjarja u regjistrua të hënën në mbrëmje, kur 2 burrat depërtuan në ambientet e rezidencës Anmer Hall, duke shkaktuar aktivizimin e sistemeve të sigurisë. Sipas mediave britanike, 1ri prej të arrestuarve dyshohet se qëndron ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Hetimet paraprake sugjerojnë se 2 personat mund të mos e kenë ditur se prona i përkiste çiftit mbretëror dhe se qëllimi i tyre mund të ketë qenë vjedhja. Megjithatë, autoritetet po verifikojnë të gjitha rrethanat për të përjashtuar mundësinë e një motivi tjetër. Sipas raportimeve, të dyshuarit ishin të maskuar dhe aktivizuan sistemet e avancuara të sigurisë së rezidencës, ku përfshihen kamera vëzhgimi, sensorë lëvizjeje dhe teknologji lazer.

Pas marrjes së sinjalizimit, policia nisi një operacion të gjerë kërkimi, ku u përfshinë qen nuhatës, dronë dhe 1 helikopter i Shërbimit Kombëtar të Policisë Ajrore, i pajisur me kamera infra të kuqe. 2 personat u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të pronës mbretërore. Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit nuk kishte njeri në banesë. Të 2 të arrestuarit vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet për ngjarjen janë në zhvillim.

Anmer Hall shërben si rezidencë pushimi për Princin William dhe Princeshën Kate. Prona iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II me rastin e martesës së tyre në vitin 2011. Ndërsa banesa e tyre kryesore ndodhet në Forest Lodge, në Windsor, ku jetojnë së bashku me 3 fëmijët, George, Charlotte dhe Louis, familja mbretërore e përdor rezidencën në Norfolk gjatë fundjavave dhe pushimeve shkollore.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit